Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Tiranës, Këlliçi: SPAK ende e ka gojën e mbyllur për kallëzimin


Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçi vijoi edhe këtë të hënë denoncimin për inceneratorin e Tiranës.

Këlliçi denoncoi emërimin e dy zëvendës kryetareve të reja në Bashkinë e Tiranës duke akuzuar Veliaj se po promovon persona që janë denoncuar nga PD për shkelje të rënda.

 

Deklarata e plotë:

 

Kur të gjithë ju prisni që organet e drejtësisë së re, më në fund të bëjnë punën e tyre dhe reagojnë për vjedhjen e shekullit përmes Inceneratorit fantazmë të Tiranës, Erion Veliaj, me një akt talljeje dhe poshtërimi ndaj SPAK, ka emëruar dy zv. kryetaret e reja të institucionit me te korruptuar në Europë, Bashkise Tiranë, përkatësisht, znj. Frida Pashako dhe znj. Jonida Halili.

Të dyja këto shtetase, përfaqësuese të korrupsionit bashkiak, janë subjekte të SPAK për shkak të kallëzimeve tona në dy raste të veçuara. Frida Pashako është kallëzuar nga opozita për rastin e tjetërsimit dhe falsifikimit të të dhënave për pronat e përfituara në kundërshtim me ligjin, nga kompania ‘Arlis Ndërtim’, për kompleksin ‘Square 21’, të ndërtuar mbi truallin e ish-Policisë Bashkiake.

Një marrëveshje kryekëput korruptive e Bashkisë Tiranë me këtë subjekt, ku negociatat dhe miratimi ka ardhur nga vetë znj. Pashako, atëherë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Planifikimit Urban dhe Zhvillimit të Territorit e cila shpërbleu në një akt të paprecedentë, ndërtuesin e 7 kateve pa leje në zemër të Tiranës, përballë zyrës së Erion Veliajt, famozin Armand Lilo.

Për këtë kallëzim SPAK ende e ka gojën e mbyllur.

Shtetasja Jonida Halili, e cituar me këtë titull nga vetë Drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani, në relacionin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të ish zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj, figuron si pika kyçe e Bashkisë Tiranë, në përllogaritjen e të ardhurave që duhet të përfitonte koncesioni korruptiv i inceneratorit fantazmë të Tiranës.

Në muajin maj të vitit 2018, Jonida Halili i dërgon një e-mail Taulant Tushës, drejtorit të bërë tashme kurban nga Erion Veliaj.

Në këtë e-mail janë përllogaritjet e parave të koncensionarit dhe ky e-mail përfundon nga Taulant Tusha, tek vetë Klodian Zoto. Fakt ky i cituar nga Altin Dumani, por i fshehur nga prokurori Dritan Prençi në dosjen hetimore të Tiranës.

Kjo shtetase jo vetëm që nuk merret në pyetje apo nën hetim nga SPAK, por në një akt karshillëku dhe talljeje ndaj organit të akuzës, emërohet tashmë si numri 2 i Bashkisë Tiranë.

Me këtë standard poshtërimi ndaj SPAK, Erion Veliaj fakton se personat e vetëm që mund të preken nga drejtësia në këtë vend, janë ata për të cilët partia shtet të jep leje. Fakti që këto dy zonja promovohen dhe nuk hetohen, flet shumë për standardin e organeve te reja të drejtësisë.

 

Këto fakte, të përmendura sot në këtë deklaratë, i janë nisur zyrtarisht Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani dhe sërish gjej rastin të garantoj qytetarët e Tiranës, se atje ku nuk guxon të shohë SPAK, shohim ne.

Partia Demokratike do vijojë të verë në dijeni zyrtarisht këtë strukturë për çdo fakt penal dhe me pas barra e provës bie mbi vetë organin e akuzës.

Deri me sot, nga ajo që kemi parë, rezulton se SPAK thjesht është shndërruar në trupën mbrojtëse të një strukture kriminale qeverisëse, të drejtuar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.