Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria si Suedia, brenda objektivave të BE-së, 44% e energjisë vjen nga burimet e rinovueshme


Shqipëria nuk është ende një vend i Bashkimit Evropian, por mund të mburret se është tashmë në përputhje me objektivin e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030, shkruan Europa Today.

Ajo thekson se shumica e vendeve anëtare të BE-së po luftojnë për të arritur objektvin në fjalë, përfshirë Italinë. Ndërkohë që BE-ja pret një pjesë të energjisë së konsumuar nga burimet e rinovueshme prej 42.5% deri në fund të dekadës, Tirana sot qëndron në 44%. Një përqindje që e afron me kampionët skandinavë, shumë më e lartë se mesatarja e BE-së dhe më shumë se dyfishi i Italisë.

Kjo është ajo që del nga të dhënat më të fundit të Eurostat, në lidhje me vitin 2022. Vitin e kaluar, pjesa e burimeve të rinovueshme në konsumin bruto të energjisë finale midis të 27 vendeve të BE-së arriti në 23%, një rritje (edhe pse e lehtë) krahasuar me vitin 2021.

Duke qëndruar brenda BE-së, Suedia ka peshën më të lartë, me 66%, e ndjekur nga Finlanda (47.9%). Të dhënat e Eurostat raportojnë edhe përqindjet e energjisë së rinovueshme në vendet evropiane jashtë BE-së, nga të cilat Norvegjia del me 75.8%. Ndërsa Shqipëria qëndron menjëherë pas treshes skandinave.

Italia, nga ana tjetër, ka ngecur në 19%, një rënie të lehtë në krahasim me vitin 2021. Në total, 17 nga 27 anëtarët e BE-së raportuan përqindje më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 23.0% në vitin 2022.

Direktiva e re për energjinë e rinovueshme ka rishikuar objektivin e BE-së për energjinë e rinovueshme për vitin 2030 nga 32% në 42.5% (me synimin për ta rritur atë në 45%), kujton Instituti Europian i statistikave.

Vendet e BE-së duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur kolektivisht objektivin e ri të BE-së për vitin 2030.