Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadat nxjerrin blof Bashën për reformën zgjedhore


Selitë diplomatike të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë nxjerrë blof kreun e PD-së zyrtare, Lulzim Basha lidhur me reformën zgjedhore.

Basha më 15 janar në një prononcim për mediat, deklaroi se PD-ja në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, ia doli të bindë socialistët për të filluar punën për reformën zgjedhore.

Ditën e sotme Ambasada e SHBA-ve në Tiranë në një interesim të Neës 24 për çështjen tha se pavarësisht takimeve të zhvilluara me kryetarë komisionesh parlamentare nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi.

Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest për largimin e papërgjegjshmërisë politike përmes reformës zgjedhore dhe në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”, deklaroi Basha.

“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, shprehet Ambasada amerikane në Tiranë.

Ndërsa Ambasada britanike ka dalë me një reagim publik ditën e sotme duke thënë se nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi të ndonjë marrëveshjeje politike.

 “Ambasada britanike në Tiranë ka mbështetur gjithmonë aspiratat shqiptare për një parlament dhe demokraci funksionale. Kjo kërkon struktura që u mundësojnë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të hartojnë ligje, ta detyrojnë qeverinë të japë llogari dhe të debatojnë mbi çështje të rëndësishme, për të pasqyruar interesat e qytetarëve. Kjo përfshin zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Ne mirëpritën thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie dhe për ta zëvendësuar konfliktin politik me bashkëpunim konstruktiv. Ne u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta dëgjojnë këtë mesazh. Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.”, thuhet në reagimin e ambasadës.

I ndjerë i detyruar nga deklaratat e ambasadave, Basha publikoi një deklaratë të moderuar lidhur me reformën zgjedhore duke mos përmendur këtë herë neogcim marrëveshjeje politike por vetëm mbështetje.

Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!”-shkruan Basha në “X”.