Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohen 100 pronarët më të mëdhenj të tokave të SHBA-së, mes tyre Bezos e Gates


Familja Emmerson, e cila zotëron prodhuesin e lëndës drusore ‘Sierra Pacific Industries’, është renditur si pronari më i madh i tokës në Amerikë këtë vit, sipas një renditjeje vjetore të përpiluar nga Land Report, një revistë me qendër në SHBA e përqendruar në pronësinë private të tokës në SHBA.

Sipas raportit Emmersonët zotërojnë pak më shumë se 1 mlion hektarë tokë në shtetet e Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit përmes biznesit të tyre. E themeluar në vitin 1947 nga Curly Emmerson, ‘Sierra Pacific’ drejtohet sot nga Archie ‘Red’ Emmerson dhe djemtë e tij. Familja ka qenë në krye të listës që nga viti 2021, kur bleu 71,000 hektarë në Oregon nga ‘Seneca Timber Company’.

Pronari i dytë më i madh i tokës është manjati i medias John Malone, i cili ka rreth 890 mijë hektarë në të gjithë Wyoming, New Mexico, Florida dhe Colorado. Malone zotëron Liberty Media Corporation, pasuritë e së cilës përfshijnë kampionatin e garave të Formula 1.

Në tre vendet e para është themeluesi i CNN, Ted Turner, i cili zotëron rreth 800 mijë hektarë, një pronë që disa ekspertë kanë vënë re se është afërsisht e barabartë në madhësi me Parkun Kombëtar Yellowstone.

Manjati i pasurive të paluajtshme dhe sporteve Stan Kroenke, pronar i një numri fermash të konsiderueshme, është pronari i katërt më i madh i tokës me 687 mijë hektarë. Familja Reed, pronare e kompanisë pyjore ‘Simpson Investment’, zuri vendin e pestë në renditje.

Renditja paraqiti katër pronarë të tjerë tokash me më shumë se 400 mijë hektarë në posedim të tyre, duke përfshirë familjen Irving nga Kanadaja, korporata e së cilës ka biznese në prerje, ndërtim anijesh dhe shitje me pakicë; klani Buck, themeluesit e zinxhirit të ushqimit të shpejtë Subway; familja Singleton, pronarë të fermave të bagëtive dhe kuajve dhe Brad Kelly, themelues i kompanisë së duhanit Commonwealth Brands.

Lista përmban gjithashtu pronarin e Amazon, Jeff Bezos në vendin e 25-të me 170 mijë hektarë dhe bashkëthemeluesin e Microsoft, Bill Gates në vendin e 42-të me 111 mijë hektarë, i cili ishte pronari më i madh i tokës bujqësore në Amerikë në 2020.

Chen Tianqiao, një shtetas kinez që bëri pasurinë e tij në lojërat në internet, iu bashkua listës për herë të parë dhe u shfaq si pronari i dytë më i madh individual i tokës amerikane nga një qytetar jo-amerikan pas Irvings, duke u renditur i 82-ti.

Raporti i tokës, i cili mbulon 100 pronarët më të mëdhenj të tokës në SHBA, bazohet në të dhëna nga një sërë burimesh, duke përfshirë të dhënat tatimore të qarkut, raportet financiare dhe njoftimet për shtyp të korporatave, si dhe zbulimet personale nga pronarët e tokave ose përfaqësuesit e tyre.