Vendosni fjalën kyçe....

25 vjet nga masakra e Reçakut ku u vranë 45 persona, Kosova kërkon drejtësi


Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë. Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Sipas mediave kosovare, në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe u futën në fshat dhe dhe filluan bastisjet.

Si çdo vit Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, bënë homazhe në varreza, për një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

Gjithashtu i pranishëm ishte dhe ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur dhe e cilësoi Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Ndërkohë që edhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Reçak. 

Ndër të tjera krerët e shtetit të Kosovës njëzëri kërkuan drejtësi, ndërsa thanë se Serbia u përpoq të deformonte të vërtetën dhe se ende e mohon atë masakër.

Në deklarat e saj për media presidentja Osmani u shpreh se drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

 “Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”, u shpreh Osmani.

Kryeministri Kurti gjithashtu në fjalën e tij, falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”, u shpreh Kurti.

Sakaq kryparlametari Konjufca tha se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.

“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. 

Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës”, tha Konjufca.

Siç e përmendëm dhe më sipër, një zë shumë i rëndësishëm që i foli botës rreth kësaj ngjarje ishte i pranishëm dhe në homazhet e 25 vjetorit të asaj ngjarje ishte edhe Ish-amabasdori i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Në 25 vjetorin e kësaj masakre, Walker ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve, Kosova sot gëzon demokraci.

 

“Kam ardhur t’u them tungjatjeta miqve të mi në Reçak, ku disa prej tyre i njoh që 25 vjet. Disa prej tyre janë ndarë nga jeta dhe siç mund ta shihni asaj rruge jam edhe unë”, u shpreh Walker.

Ai ka shtuar se është hera e parë e tij që vjen në Reçak me bastun në duar, ndërsa u shpreh krenar që ndodhet sërish aty. 

“Kjo është hera e parë që duhet të vij me bastun, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, shtoi më tej ai.