Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkohet drejtoresha e Kadastrës Sarandë (e përfolur për disa afera)


Drejtoresha e Kadastrës Sarandë Aida Demi është shkarkuar nga detyra.

Gazetarja Klodiana Lala ka cituar burime brenda Kadastrës ndërsa dyshohet se shkarkimi ka ardhur pasi Demi ka shkelur detyrën.

Një ditë më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan ka hulumbuar rastin, sipas të cilit familja e Demit ka ndërtuar një hotel buzë detit ndërsa ka mbushur me material të ngurta detin, duke e kthyer atë në tokë.   

“Hoteli buzë detit i ndërtuar nga familjaret e Aida Demit mbi një truall të blerë me proces privatizimi në vitin 1992, gllabëroi një pjesë të konsiderueshme të bregut të detit, pjesë që u mbush me inerte dhe u kthye në tokë. Me një kontratë shitblerjeje në 5 Korrik 2019, Ministria e Financave ia shiti atë familjes Demi duke e kthyer detin në tokë. Pas vetëm 4 ditësh, familja Demi merr certifikatën e pronësisë jo për 600 m2 sa bleu, por për 1325 m2. Më pas, në vitet 2020 dhe 2021 dhe 2022, familja e Aida Demit ka marrë disa leje për ndërtimin e një objekti të ri dhe shtesë katesh për objektin ekzistues. Aida Demi ka legalizuar dy kate pa leje të një objekti, për të cilat ka pasur urdhër prishjeje nga Bashkia dhe INUK.” – thuhet në emisionin investigativ.

Edhe në Ksamil, Aida Demi dyshohet ka legalizuar objekte dhe ka dhënë truall në mënyrë të paligjshme, duke legalizuar edhe objekte që nuk ekzistojnë. Kjo ka ndodhur me certifikatën e pronësisë së Isuf Dariut apo dhe me atë të Taulant Mukës, thuhet më tej gjatë hulumtimit.