Vendosni fjalën kyçe....

Banka franceze nën hetim për dyshime për pastrim parash në Qipro


Një hetim është në vazhdim për një firmë brokerimi qipriote, e cila dyshohet se në bashkëpunim me një nga degët e BNP Paribas, ka kryer “pastrim parash të rënduar”.

Investimet e dyshimta, të menaxhuara nga dega e bankës franceze BNP Paribas, në emër të një firme brokerimi qipriote, janë nën hetim nga autoritetet franceze dhe amerikane për dyshime për “pastrim të madh parash”, ka raportuar e përditshmja franceze Le Monde.

Flukset e dyshimta financiare, raportohet në më shumë se 220 milionë euro dhe janë bërë midis 2019 dhe 2021.

Gjatë asaj periudhe, T.C.R. International Limited, një kompani shërbimesh financiare e regjistruar në Qipro, kreu transaksione investimi për klientët e saj në partneritet me BNP Paribas Securities Services.

Zyra e prokurorit të Parisit tha në një deklaratë, se transferimet ishin me “origjina dhe/ose flukse ndoshta të dyshimta pa logjikë të qartë ekonomike”, pa përmendur BNP Paribas.

BNP Paribas nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje specifike, duke deklaruar se kishte një sistem të vendosur global të pajtueshmërisë dhe se ishte i përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë e saj rregullatore.

Le Monde raportoi se fokusi i autoriteteve franceze në T.C.R. International Limited erdhi nga një hetim amerikan që përfshin ish-udhëheqësin mercenar të Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një aksident avioni në gusht.

Prokuroria u përmbajt nga adresimi publik i çdo lidhjeje të mundshme midis Prigozhin dhe transfertave të kryera nga firma e ndërmjetësimit.

Në Francë, pastrimi i madh i parave përbën një vepër të dënueshme me një dënim deri në 10 vjet dhe një gjobë prej 750,000 € ose gjysmën e vlerës së aseteve të pastruara.