Vendosni fjalën kyçe....

23-vjeçari shqiptar humbi jetën në një aksident tragjik në Bergamo


Një aksident i rëndë i mori jetën një ditë më parë 23-vjeçarit nga Shqipëria, Andon Kumria, në Bergamo të Italisë.

23-vjeçari është aksidentuar në orën 05:30 të mëngjesit të së enjtes.

Edhe pse është dërguar me urgjencë në spitalin Papa Giovanni në Bergamo, nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.

I riu kishte disa vite që punonte si kuzhinier në një restorant në Bergamo.

Vdekja e tij e parakohshme ka tronditur pa masë familjarët e tij dhe punonjësit në restorantin ku ai punonte. Lamtumira e fundit do t’i jepet të shtunën e 23 Dhjetorit në Bergamo.

Për vdekjen e tij ka folur edhe pronari i restorantit ‘da Giò’ në via Nazionale në Seriate, Itali, ku i riu punonte.

Ai ishte krahu im i djathtë, kuzhinieri më i mirë që kam pasur ndonjëherë në njëzet vjet biznes. Andon ishte një djalë shumë i mirë, plot jetë, i përkushtuar ndaj punës. Në këto dy vite nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë “jo”. Ai ishte shumë i apasionuar pas gatimit, aq sa e kishte studiuar dhe madje kishte shkruar një libër. Ai ishte aq i mirë sa i shita një pjesë të aksioneve në një nga kompanitë e mia. Ai kishte një ëndërr, të shkonte në Amerikë. Ne donim të bënim një udhëtim dhe të shkonim së bashku. Edhe sikur të na ndante fati, ti do të mbetesh përgjithmonë i gdhendur në zemrën time. Shijoje udhëtimin tënd, miku im”, është shprehur Giovanni.

Përsa i përket aksidentit ai u shpreh se informacioni i vetëm që kishte ishte se i riu kishte humbur jetën nga humbja e kontrollit të makinës.

“Nuk e di dinamikën e aksidentit, e di që kishte mjegull dhe Andoni humbi kontrollin e makinës”, tha Giovanni.