Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka dhe prokurori i SPAK, Klodian Braho falsifikuan formularët e deklarimit


Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të mërkurë se ka dorëzuar në gjykatën e posaçme kërkesën për gjykim ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari me akuzën e falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve.

Dosja në ngarkim të kryebashkiakut lidhet me formularin e dekriminalizimit që ai ka plotësuar në kuadër të ligjit për integritetin e të zgjedhurve dhe zyrtarëve qendrorë dhe vendorë.

Por, çfarë ka bërë konkretisht Kreshnik Hajdari, që sipas akuzës rrezikon burg deri në pesë vite? Sipas SPAK, nga aktet e administruara, provat e marra nëpërmjet letërporosisë nga autoritetet greke të Drejtësisë, rezulton se shtetasi Kreshnik Hajdari është i dënuar në vitin 1999 me vendimin e formës së prerë të gjykatës së Janinës, me masën riedukuese të qortimit sepse ka kaluar kufirin nga mali, ashtu siç në atë kohë kanë bërë mbi 60 për qind e shqiptarëve.

Ky është rasti i Kreshnik Hajdarit, një drejtues i një bashkie modeste, që përveçse mund të largohet nga detyra nëse gjendet fajtor, rrezikon edhe burgun. Përballë këtij rasti është ai i prokurorit të posaçëm, Klodjan Braho dhe ai i gjykatëses së posaçme, Irena Gjoka.

Rasti i Brahos, sipas kallëzimit të dorëzuar në SPAK ndaj tij është disa herë më i rëndë se Kreshnik Hajdari. Prokurori i Posaçëm, ashtu si Hajdari dyshohet se ka fshehur nga formularët e deklarimit një udhëtim për në Greqi.

Ndryshe nga Hajdari, që ka ikur nga mali, Klodjan Braho ka kaluar me automjet më 24 shkurt 2012 në pikën kufitare të Kakavijës dhe krejtësisht ligjërisht. Por, këtë udhëtim në drejtim të Greqisë, sipas një kallëzimi të depozituar në SPAK, Klodjan Braho s’e ka deklaruar në formularët e vettingu. Pse? Arsyja ndoshta lidhet me dyshimet e ngritura në kallëzim se prokurori ka qenë në një shoqëri të papërshtatshme të Ervis Gavellit, i dënuar nga Italia me precedentë të theksuar penalë, i akuzuar, hetuar e dënuar për trafik droge dhe pastrim parash, subjekt OFL-je në mars të 2020 ku dosja referua në SPAK. Këtu, sipas kallëzimit në SPAK, dyshohet se Klodjan Braho ka ndërhyrë për të zhbllokuar pasuritë e dy miqve të hershëm të tij.

Gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka nga ana tjetër u ka fshehur komisioneve të vettingut shkarkimin nga detyra për paaftësi me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të 8 shkurtit 1996.

Nëse para se të kalonin vettingun, Klodjan Braho dhe Irena Gjoka do ta kishin deklaruar këto detaje, sot prokurori dhe gjyqtarja e posaçme me gjasa do të ishin pjesë e kontigjentit të prokurorëve e gjyqtarëve që u larguan nga sistemi, jo vetëm për mosjustifikim pasurie, por edhe për lidhje të errëta me botën e krimit dhe për paaftësi në ushtrimin e detyrës.

Që drejtësia e re të mos katandiset në një drejtësi fasadë e së vjetrës dhe amorfe, rastet i Klodjan Brahos dhe Irena Gjokës duhet të jenë të parët që duhet të hetohen. SPAK e GJKKO më parë duhet të pastrojnë radhët e veta, pastaj të vihen në gjueti të zyrtarëve të dorës së dytë, a dorës së tretë që të vetmin faj që kanë është emigrimi si hallexhinj në Greqi në vitet e vështira të Shqipërisë.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Vox News.al