Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Kultivuesve dhe Përpunuesve të Bimëve Mjekësore kërkon mbështetje për fermerët: Të subvencionohen direkt në llogaritë e tyre


Shoqata e Kultivuesve, Përpunuesve të Bimëve Aromatike Mjekësore Shqiptare kërkon mbështetjen e fermerëve të formalizuar me subvencione direkte në llogarinë e tyre, pas marrjes së faturës së fiskalizuar.

Sektori i eksportit të bimëve medicinale aktualisht po vuan rënien e kultivimeve të bimëve për shkak të braktisjes së tokës nga fermerët.  Për këtë arsye Kryetari i Shoqatës Xhavit Hysenaj u kërkoi institucioneve mbështetje për fermerët njëlloj si vendet e rajonit, me qëllim frenimin e emigracionit të tyre.

“Le te kthejmë fytyrën realisht nga bujqësia, nga ai që punon tokën, ai që e vjel prodhimin, ai që e shet prodhimin në bazë të ligjeve Shqiptare, i pajisur me NIPT fermeri dhe paratë i qarkullojnë me bankë. Ky është fermeri i vërtetë europian, që duhet të konkurrojë në tregjet botërore.

Por çfarë po ndodh me fermerët e vërtetë, ku vetëm në industrinë tonë mbahen 4,000 familje. Ku fermeri punon, prodhon, administron dhe tregton në mënyrën ligjore dhe mbështetjen e ka zero!

Ky fermer me NIPT që punon me fatura fiskale pikërisht ky fermer bëhet viktimë e abuzuesve, atyre që  për fat të keq  kanë kopsitur letrat mbase edhe falso me certifikata pronësie, me kontrata noteriale, miqësi, ryshfete e pehlivanllëqe futin paratë në xhep. Kjo është e pa drejtë dhe nuk duhet lejuar.

Do të gjeni investimet e BE dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku kolonat 20 cm x 20 cm realisht janë të katërfishuara në letra, do të gjeni një mospërputhje shumë të madhe me situatën në terren dhe atë në letra.

Do të gjeni aty fermerët e formalizuar me NIPTE , te cilët kanë dorëzuar prodhimet e tyre bujqësore me faturën e fiskalizuar, duke  qarkulluar paratë e prodhimeve të tyre me banke të cilët nuk janë mbështetur me asnjë subvencion, nga ana tjetër do te gjeni fermer të cilët kurrë nuk kanë dorëzuar prodhimet e tyre me faturë të fiskalizuar , por kanë marrë subvencione nga shteti shqiptar thjesht se janë bërë reklamat në mediat sociale nga ata që i kanë qelbur kulltuqet e tyre me marrje parash dhe servilosje ndaj ministrave njeri pas tjetrit. Të gjitha këto janë tejet të lehta për t’u verifikuar.

Është fakt se qeveria dhe BE ka dhënë shumë më shumë para se në vitet 2014-2015-2016 -17 por çfarë ka ndodhur, fondet janë rritur, ndërsa fermerët e legalizuar janë varfëruar. Fondet rriten ndërkohë fermerët realë, ata që punojnë realisht tokën shikojnë gjithmonë e më pak lekë. Pse? Sepse rriten fondet rritet dhe korrupsioni”.

Për të rikthyer eksportet e bimëve medicinale dhe aromantike në vlerat e 78 milionë USD në vit të arritura në vitin 1998, shoqata Shoqata e Kultivuesve Përpunuesve të Bimëve Aromatike Mjekësore Shqiptare propozon dhënien e subvencioneve direkte për fermerët e formalizuar dhe auditim të kompanive që kanë përfituar fondet mbështetëse në sektorin e bujqësisë.

“Së pari, subvencionet, cilado qofshin ato, të kalohen direkt në llogarinë e fermerëve, sapo ata të marrin faturën fiskale të dorëzimit te produktit bujqësor te tyre në fabrikat e përpunimit. Kjo rrugë shmang abuzimin, shkon shpërblimi tek fermeri por edhe formalizon industrinë përpunuese të agro-biznesit.

Me realizimin e kësaj, zgjidhet kjo situatë. Kërkon vetëm vullnet dhe aspak buxhet të shtuar nga ana e qeverisë por manaxhim të mirë të këtij buxheti.

Së dyti, një auditim për të gjitha ato kompani të cilat kanë qenë përfituese të programeve të ndryshme të subvencionimit te kontrollohen nga tatimet. Në rast se ato nuk kanë rezultuar transparente dhe efektive te merren masa konkrete dhe te  mos mbështeten më. Ndërsa ato që kanë kthyer investimin, të vlerësohen e mbështeten se bashku me fermerët paralel. Kjo do të rriste konkurrencën e ndershme dhe do t’i vinte fre korrupsionit”, pohoi ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor