Vendosni fjalën kyçe....

Mirush Kabashi ndahet nga jeta, aktorët e kinematografisë shqiptare shprehin ngushëllimet dhe admirimin për artistin e njohur 


Disa nga aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, kanë shprehur ngushëllimet e tyre lidhur me ndarjen nga jeta të artistit të madh Mirush Kabashi, duke e konsideruar artin në zi.

Bujar Kapexhiu e vlerësoi figurën e Kabashit, ndërsa theksoi se ai ishte tepër i veçantë për nga talenti.

Ai shprehet se kjo është një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar.

Gjithashtu shton se aktorin e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin,

“Një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar. Themi shpesh për aktorët dhe regjisorët që janë të rrallë, por për Mirushin fjala e sinqertë është; një aktor dhe artist i rrallë. Ai ka qenë një aktor i talentuar, virtuoz. Atë e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin, madje ne thonim; e tepron më këtë seriozitet. Mbi këtë material më pas kishte një punë të jashtëzakonshme. Ai kishte korrektesë për gjithçka.”, tha ai.

Ndërkaq Sotiraq Bratko shprehet se ndarja nga jeta e ‘Nderit të Kombit’ është një humbje jashtëzakonisht e madhe për artin shqiptar. Më tej ai thotë se ‘Shkruaj dhe lotoj… shkëmb i madh ne themelet e teatrit dhe kinemasë.’

Bratko dhe Kabashi kanë luajtur në filmin “Shoqja nga fshati”, ku luanin rolin e nipit dhe dajës.

Lajm shume i hidhur për mua. Luftoi shume, por sëmundja për te cilën ai me shume fuqi për ta mposhtur e paska vene poshtë… Me thoshte vazhdimisht, “Do te me vere poshtë por unë do ta superoj”.

Ohhh i madhi njeri! Ohhh i madhi artist! Ohh i madhi mik dhe shok! Ohhh i madherishmi Mirush! Sic emrin kishte dhe do mbetet i mire e i përjetshëm!

Humbje jashtëzakonisht e madhe për kombin. I madhi ne thjeshtësi, t’i jete e lehte toka! Kurrë nuk pretendoi me shume se te ishe i thjeshte qeshur i dashur NJERI.

Shkruaj dhe lotoj… Shkëmb i madh ne themelet e teatrit dhe kinemasë. I përjetshme do mbetet jo vetme për ne por për gjithë bashkëkombësit ne rruzullin Toke, shkruan Bratko.

Më tej, në një dalje në media, Kita u ndal te njohja e saj me Kabashin, ku tha se është njohur që në rininë e saj dhe e kanë pasur një miqësi të fortë. Ndër të tjera ajo tha se Kabashi ishte një artit i madh i skenës shqiptare dhe se herë që shkonte në festivalin ‘Koko Fest’ jepte ide dhe sugjerime për përmirësim.

“Kjo është një ditë jo e mirë për skenën dhe artdashësit shqiptarë. Lidhja me Kabashin është shumë e hershme. Kam krijuar dhe një miqësi të fortë me të.

Mirushi zhvillonte ide për të perfeksionuar festivalin e ‘Koko Fest’. Karriera e tij dhe mjeshtëria e madhe e tij ka bërë që të jetë ‘Nderi i Kombit’ dhe mjeshtri i madh i skenës. Ne jo vetëm që kemi ndjekur shfaqjet, por jemi përpjekur që së bashku të shëtisnim në vende të bukura turistike të Korçës, ku ne kemi marrë kënaqësi. 

Doja të shprehja ngushëllimet për familjarëve, komunitetet artistik dhe kujtdo që ka ndjekur veprat e tij.”, u shpreh Kita.

Ndër aktorët që gjithashtu shprehu dhimbjen dhe admirimin për artistin e madh të skenës, Mirush Kabashi është edhe aktori Ndriçim Xhepa, i cili e vlerëson figurën e aktorit si emër të shkruar në radhën e artistëve.

Në një dalje gjithashtu për mediat Xhepa u kthye pas në kohë, kur luajti për herë të parë me Kabashin në filmin ‘Kohë e largët’, ndërsa theksoi se ky i fundit ishte maniak i përpikërisë.

“Lajm i trishtë në këtë mëngjes dhjetori. Është lajm i trishtë për bashkëshorten, për dy vajzat e tij dhe komunitetin e teatrit të Durrësit, ku punoi për shumë vite. Ka pasur edhe prezencë në televizionin shqiptar, në spektakle të fundvitit dhe më pas erdhi në teatrin Kombëtar pas viteve 2000. 

Ka bashkëpunuar me të gjithë kolegët. Ishte prezent në shumë institucione dhe për spektatorin dhe artdashësit që prekën artin e tij. Mirushin, e kam takuar shtatorin që kaloi. E pashë mirë nga ana psiko-fizike, pasi kishte disa kohë që vuante nga kjo sëmundje e rëndë. Ishte natyrë vitale, sikur nuk e ndjeje fare që ai kalonte një situate të tillë.

 Ndejmë dhe biseduam dhe menduam se do t’ia kalonte. Por ja që s’paska qenë e thënë. Pasi ai ishte notar, sportist, nuk përdorte alkool dhe as cigare, por nuk qenka e shkruar. Ishte një aktor punëtor, maniak dhe me ekzigjenca të mëdha. Ne jemi bashkuar në javët e fundit të filmit ‘Kohë e largët’, ishim në ishullin e Prespës dhe punuam vetëm bashkë dhe vura re një maniakëri.”, tha Xhepa.

Një tjetër aktor i cili u shpreh mbi këtë ditë të artit në zi është edhe aktori Vasjan Lami, ku përveç admirimit dhe fjalëve të mira për aktorin, Lami thekson se Mirush Kabashi nuk u shpërblye aq sa meritonte. Ai tha se Kabashi ishte një etalon i aktorit jashtëzakonisht punëtor.

“Publiku ka adhuruar çdo rol të Mirush Kabashit. Ai ishte i veçantë. I jepje punën dhe rrije i qetë. Ka qenë një njeri shumë vital e shumë familjar. Përpos kësaj ai ishte shumë korrekt, elegant”, u shpreh Lami.

Nga ana tjetër aktori i cili ka luajtur me Mirushin në filmin “Telefoni i një mëngjesi” foli edhe për shpërblimin e aktorëve.

“Asgjë nuk ka qenë e shpërblyer sa e meritojnë artistët. Aktori është profesion i privilegjuar, ka edhe adhurim në popull. 

Ne bëjmë një punë që na e shohin të gjithë, por është profesion me përgjegjësi, pasi vihesh përballë dhe gjykohesh nga shumë njerëz. Shpërblimi për aktorët është i pallogaritshëm, është qesharak!”, tha ai.