Vendosni fjalën kyçe....

Kosova shtyn afatin e ndërrimit të targave për serbët në veri


Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten se ua ka zgjatur afatin serbëve vendas për të zëvendësuar targat e automjeteve të tyre të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Afati fillestar i 1 dhjetorit është shtyrë deri më 15 dhjetor.

“Ky ndryshim ka ardhur si rezultat i kërkesës së madhe dhe interesimit të madh për regjistrimin e automjeteve me targa RKS”, thuhet në komunikatë.

Çdo targa që nuk është ndryshuar deri më 15 dhjetor do konsiderohet e paligjshme dhe pronarët e automjeteve nuk do lejohen të lëvizin.

Në fillim të nëntorit, serbët që jetojnë në Kosovë filluan të zëvendësojnë targat e tyre të automjeteve të lëshuara nga institucionet serbe dhe që simbolizojnë qytetet e Kosovës me targa RKS, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, tha për Anadolu se rreth 1500 persona kanë marrë targa të automjeteve RKS në fillim të nëntorit.

Një grup serbësh që nuk duan të marrin targa RKS synojnë t’i regjistrojnë automjetet e tyre në qytetet e Serbisë dhe t’i përdorin ato në Kosovë si alternativë.

Autoritetet e Kosovës vlerësojnë se janë afërsisht 10,000 automjete me targa të paligjshme. Procesi i ndërrimit të targave ka shkaktuar shumë herë kriza në veri të vendit.

Serbët që nuk donin të ndërronin targat vendosën barrikada në rrugët kryesore të vendbanimeve veriore më 31 korrik 2022 dhe dhanë dorëheqje kolektive nga institucionet qendrore dhe vendore të Kosovës në nëntor të po atij viti.