Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për protestat e opozitës: S’do jenë të zakonshme, Shqipëria nuk i ka njohur deri në sot


Ish-kryeministri Sali Berisha tha se nuk ka një vendim që protestat e opozitës të nisin më datën 8 dhjetor, por theksoi se në momentin që do të nisin, do të jenë pa kthim.

Në konferencë me gazetarët, Berisha tha se protestat nuk do të jenë të zakonshme, por do të kenë formën e mosbindjes civile, që siç u shpreh ai, Shqipëria nuk i ka parë ndonjëherë.

“Nuk një vendim të tillë, por protestat kur të fillojnë nuk do ndalojnë. Beteja pa kthim, që do të thotë nuk do ndalojnë. Nuk do jenë protesta të zakonshme, do jenë protesta të mosbindjes civile që Shqipëria nuk ka njohur deri në sot”, tha Sali Berisha.

Berisha u shpreh se janë qytetarët që do të thonë fjalën e tyre, duke theksuar se revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari.

“Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari. Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile.

Parlamenti është bërë shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk” tha Sali Berisha.