Vendosni fjalën kyçe....

10 kompanitë me fitimet më të larta


Barra e rritjes së çmimeve në vitin 2022 duket se është mbajtur nga konsumatorët, që kanë paguar më shumë për të blerë një produkt apo shërbim. Shumica e bizneseve kanë raportuar rritje të larta të fitimeve, me 65% të tyre, që deklaruan norma dyshifrore. Hyrjet në listë nga segmenti i ndërtimit ishin rekord këtë vit, duke reflektuar orientimin e kapitaleve të lira në këtë sektor me kthim të shpejtë e të lartë.

Koncesionet po zbehen, por mbeten ndër më fitimprurëset. Tregtimi i energjisë ishte “ari” i ri i bizneseve, i ndihmuar dhe nga çmimet e larta në bursa, ndërsa kompanitë shtetërore humbën. Shtrenjtimi i kromit favorizoi bizneset e kësaj fushe. Turizmi po nxit biznesin e shërbimeve estetike e dentare. Të gjithë po fitojnë, me përjashtim të industrisë, që është në prag falimenti, teksa po zëvendësohet nga importet.

Nëse ka një element të dallueshëm në tendencën ekonomike të pas tranzicionit është elasticiteti i bizneseve për të përballuar goditjet, që vijnë nga të gjitha anët.

Ekonomia u rimëkëmb shpejt pas krizës së piramidave, e përballoi mirë krizën financiare në 2008-n (e ndihmuar dhe nga sofistikimi i ulët i tregjeve financiare vendase), e mori menjëherë veten pas kufizimeve të pandemisë.

Telashet nuk mbaruan. Në 2022, vendi u përball me një krizë të paprecedentë të rritjes së çmimeve të lëndëve të para e atyre finale.

Viti 2022 shënoi dhe nivelin më të lartë të inflacionit, që nga 1998-a, me 6.2% mesatarisht, që kulmoi në tetor në 8.3%, një reflektim i pasojave globale të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Sërish bizneset ia dolën, teksa barra e rritjes së çmimeve në vitin 2022 duket se është mbajtur kryesisht nga konsumatorët, që kanë paguar më shumë për të blerë një produkt apo shërbim.

Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në këtë renditje, tregojnë se fitimet e sipërmarrjeve të mëdha kanë arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2022.

Vetëm 25% e kompanive në listën e “Monitor 200” deklaruan rënie të fitimeve në 2022 në krahasim me vitin e mëparshëm. 54% e sipërmarrjeve në listë raportuan rritje të normave të fitimit.

Normat e fitimit bruto para taksave ishin dyshifrore (mbi 10%) për 65% të kompanive.

Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2022, ishte 174 miliardë lekë, me një rritje prej gati 50% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm, i ndikuar nga përmirësimi i rezultatit financiar të sipërmarrjeve të energjisë, ndërtimit, tregjeve financiare, industrisë së metaleve e minerale, tregtuesve etj.

Kufiri i kompanisë së 10 për nga fitimet në vlerë absolute në 2021 ishte 2.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022 u rrit në 3.6 miliardë lekë. Pragu i hyrjes në renditjen e 200 në vitin 2022 ishte rreth 170 milionë lekë, nga 156 milionë lekë vitin e mëparshëm.

Sektorët që fitojnë më shumë

Sidomos ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve, i nxitur nga normat e larta të fitimit, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi.

Si asnjëherë tjetër në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve kishte 45 shoqëri, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin, nga 34 që rezultonin vitin e mëparshëm.

Norma mesatare e fitimit të tyre është rritur vazhdimisht në katër vitet e fundit nga 10.8% në 2019-n, në 14.8% në 2020-n, 15.9% në vitin 2021 dhe 19% në vitin 2022. Në vlerë, fitimet e 45 kompanive të ndërtimit dhe të lidhura me to u rritën ndjeshëm me 45%, duke shpjeguar dhe “dyndjen” e investimeve dhe kapitaleve të lira drejt ndërtimit. 

Bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, ku riskun financiar e ka marrë përsipër shteti, mbeten një tjetër segment që ka ndër normat më të larta të fitimit në vend, që i kalojnë edhe 50%.

Gjithsesi aktiviteti i tyre po zbehet, pasi një pjesë e tyre janë tashmë në hetim dhe vrulli i koncesioneve të reja është ndalur.

Edhe në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2022, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit, pa ndonjë ndryshim nga dy vitet e mëparshme.  

Rritja e fortë e çmimeve të energjisë në vitin 2022 favorizoi si prodhuesit, ashtu dhe tregtuesit privatë të energjisë. Në të kundërt, sipërmarrjet shtetërore që u detyruan të blejnë energjinë në treg të lirë kishin një vit të vështirë, me humbje të mëdha për prodhuesin publik të energjisë.

Në vitin 2022, KESH raportoi një humbje prej 27 miliardë lekësh, ndërsa treguesit kryesorë të energjisë gjeneruan fitime 11.5 miliardë lekë. Prodhuesit kryesorë të energjisë që hyjnë në listën e “Monitor 200” kishin fitime prej 14 miliardë lekësh.

Hyrje të reja në listën e 2022 ka edhe nga sipërmarrjet e fokusuara në nxjerrjen dhe tregtimin e kromit, të favorizuara nga çmimi i favorshëm në bursat ndërkombëtare.

Bankat shënuan një vit të mirë, të ndikuara nga një ambient me norma të larta interesi pas rritjes disa herë të normës bazë nga Banka e Shqipërisë.

Normat e fitimit mbetën të qëndrueshme, si një element sigurie për një fazë të paqartë, në të cilën po hyn ekonomia në vijim të inflacionit të lartë  e të luhatshmërive, që krijon një mjedis me interesa të larta në tregun financiar, ndryshe nga një erë e interesave të ulëta që filloi në vitin 2001.

Në tregun financiar, sigurimet mbeten me norma të ulëta njëshifrore në fitime, si rrjedhojë e nivelit të ulët të primeve për frymë dhe në mungesë të një trendi për ndryshime në këtë aspekt.

Biznesi i kujdesit për shëndetin ra në 2022, pas një periudhe dyvjeçare kur ai kulmoi si rrjedhojë e pasojave që shkaktoi pandemia.

Në epokën e teknologjisë së informacionit, numri i sipërmarrjeve nga ky segment numërohet me gishtat e dorës, ndonëse normat e fitimit janë të larta.

Në të kundërt nga 2020-a, kur pandemia i dha hov zhvillimit të teknologjisë së informacionit, me shumë sipërmarrje nga kjo fushë që hynë te më fitimprurëset në vend, shansi nuk duket se është shfrytëzuar për një zhvillim më afatgjatë.

Bineset e call center po arrijnë të rezistojnë, duke u diversifikuar përtej thirrjeve telefonike dhe tregut italian.

Normat e fitimit mbeten të ulëta dhe për distributorët e mëdhenj të produkteve që lëvizin shpejt nga rafti, ndonëse disa prej tyre kanë arritur të shtojnë fitimet nga rritja e çmimeve.

Për supermarketet, 2022 ishte një vit më i mirë, teksa Euro e lirë amortizoi shtrenjtimin e produkteve të importit.

Kthimi i vendit në një destinacion turistik, krahas ndikimit direkt e indirekt në ekonomi, konsum, investime në struktura akomoduese, etj., po nxit edhe një segment tjetër, atë të turizmit shëndetësor.

Për herë të parë në renditjen e 2022, në listë ka shoqëri që veprojnë në ofrimin e shërbimeve estetike e atyre dentare, që shënuan dyfishim si të të ardhurave.

Universitetet private vijojnë të jenë një biznes fitimprurës, por e ardhmja e tyre mbetet e paqartë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të të rinjve dhe plakjes graduale të popullsisë.

Tregtimi i hidrokarbureve ka qenë historikisht sektori më pak fitimprurës në ekonomi, ndonëse ka qarkullim të lartë të parave, me norma që janë shpesh dhe më pak se 1%.

Por në 2022, si asnjëherë tjetër, nuk ka asnjë shoqëri nga ky segment, në një tregues se ndërhyrja në çmimet fundore nga mekanizmat qeveritarë ishte jofunksionale dhe dëmtuese për sipërmarrjet, ndërsa nuk ka informacion se sa arriti që të mbajë nën kontroll çmimet e shumicës e pakicës.  

DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE

1.Devoll Hydropower

Devoll Hydropower (DHP) është renditur për herë të parë si kompania me fitimet më të larta në vend. DHP operon dy hidrocentrale të mëdha (Banja dhe Moglica), me kapacitet total të instaluar prej afërsisht 269 MW dhe një prodhim mesatar prej afërsisht 700 GWh / vit të energjisë së rinovueshme.

Në vitin 2022, të dy hidrocentralet ishin në funksion të plotë, sipas raportit vjetor. Prodhimi total i energjisë elektrike gjatë vitit 2022 ishte 490 343 MWh, në reduktim prej rreth 28% krahasuar me vitin 2021 për shkak të hidrologjisë së pafavorshme.

Por, kompania është favorizuar nga çmimet më të shtrenjta të energjisë.

Në total, fitimi para taksave i deklaruar ishte 21.8 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga aktiviteti i shitjes së energjisë elektrike ishin 17.6 miliardë lekë. Në rritjen e fitimeve ka ndikuar zëri “Kthimi i humbjes nga zhvlerësimi” prej 14.5 miliardë lekësh.

(Sipas raportit vjetor, gjatë vitit 2022, për shkak të disa ndryshimeve në pritshmëritë e Shoqërisë në lidhje me të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike, kostot e transmetimit dhe faktorë të tjerë, Shoqëria rishikoi vlerësimin e saj në lidhje me humbjen nga zhvlerësimi në vlerën 15,986,173,311 lekë të njohur në vitin 2016 për aktivet e Banjës dhe Moglicës.

Aktivet e Banjës dhe Moglicës u konsideruan për qëllime të testimit të zhvlerësimit, si një njësi gjeneruese e parasë e vetme, për shkak se HEC-et ndodhen në të njëjtin burim ujor dhe menaxhohen së bashku për të optimizuar prodhimin e energjisë.

Bazuar në analizat e kryera nga Grupi Statkraft gjatë vitit 2022, drejtimi arriti në përfundimin për kthimin e humbjes së mëparshme nga zhvlerësimi të njohur në vitin 2016. Si rezultat, më 30 qershor 2022 u njoh një kthim i humbjes nga zhvlerësimi në vlerën 14,499,150,162 lekë në lidhje me aktivet e Banjës dhe Moglicës).

Duke hequr këtë zë nga ecuria normale e aktivitetit, kompania ka rezultuar me një fitim para taksave prej 7.3 miliardë lekësh, me një normë prej 41.2%.

“Viti 2022 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Tregjet europiane dhe rajonale të energjisë ishin shumë të luhatshëm dhe në disa periudha, çmimet e energjisë elektrike kanë qenë deri ekstreme”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Kompania, sipas raportit vjetor, ka paguar taksën e kontributit të solidaritetit prej 3.65 miliardë lekësh, pas vendimit të qeverisë të miratuar në fund të vitit 2022 për krijimin e kontributit të solidaritetit gjatë kohëzgjatjes së periudhës së krizës energjetike, në bazë të së cilës, kompanitë prodhuese të energjisë do të paguajnë 50% tatim për fitimet shtesë nga të ardhurat e krijuara mbi çmimin 8.5 lek/kWh

Kjo shumë është e pagueshme në dy këste të barabarta gjatë vitit 2023. 

1.Banka Kombëtare Tregtare

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT) është e dyta në vend për nga nivelet e fitimeve, pasi ishte renditur e para për tre vjet radhazi. Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend ishte 11.1 miliardë lekë (me rritje 23% në krahasim me vitin e mëparshëm), me një normë (fitim para taksave/të ardhurat) prej rreth 47%.

Të ardhurat ishin 23.6 miliardë lekë, me rënie të lehtë në krahasim me vitin e mëparshëm. Rritja e të ardhurave nga interesat e komisionet dhe mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhanë ndikimin kryesor në përmirësimin e performancës së bankës.

Z.Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare ka pohuar se “ne realizuam një kthim nga kapitali prej 19.1%, në monedhën USD, një tregues i lartë përfitueshmërie ky në përputhje me mesataren tonë historike.

E njëjta tendencë vijon edhe gjatë vitit 2023”. Sipas tij, një tjetër pikë e rëndësishme është edhe përmirësimi i vazhdueshëm i portofolit të kredive me probleme, duke forcuar edhe më tej bilancin e bankës.

3.Kurum International

“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji dyfishoi fitimet në 2022, në 9.2 miliardë lekë. Të ardhurat u rritën më ngadalë, me 10%, duke arritur në 46.1 miliardë lekë. Norma e fitimit rezultoi 19.7% në vitin 2022.

Rritja e fitimeve u ndikua nga përmirësimi i zërit “Shpenzime administrative (përfshirë shpenzime të amortizimit dhe zhvlerësimit)”.

Sipas raportit vjetor, shoqëria, gjatë vitit 2022 ka vijuar aktivitetin në të gjithë sektorët e prodhimit, përfshirë prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut (224,541 tonë prokate çeliku), prodhimin e shufrave të çelikut në fabrikën e petëzimit (243,095 tonë shufra çeliku), prodhimin e gëlqeres në fabrikën e gëlqeres, si dhe prodhimin e energjisë elektrike në 4 HEC-et në pronësi të saj. HEC-et kanë prodhuar rreth 350 milionë KWh, nga të cilat, rreth 195 milionë KWh shkuan për shitje dhe pjesa tjetër për përdorim në fabrikën e Elbasanit.

4.Trans Adriatic Pipeline AG Albania

Trans Adriatic Pipeline AG Albania ka si aktivitet kryesor në Shqipëri të planifikojë, zhvillojë dhe ndërtojë tubacionin e gazit natyror TAP. Pasi të jetë në funksion, TAP do të sigurojë kapacitetin transportues që u mundëson palëve të interesuara të tregtojnë gazin e tyre në tregjet europiane.

Shoqëria, sipas raportit të aktivitetit, është një zgjatim i operacioneve të zyrës qendrore dhe nuk kryen ndonjë veprimtari të pavarur. Objekti i vetëm i saj është të ndërtojë dhe mirëmbajë gazsjellësin që kalon në territorin e Shqipërisë dhe të trajtojë çështjet ligjore dhe tatimore që lidhen me një aktivitet të tillë në vend.

Ndonëse nuk ka aktivitet funksional, shoqëria deklaroi të ardhura prej 25.2 miliardë lekësh dhe fitime prej 8.7 miliardë lekësh, që e rendisin atë të katërtën për nga fitimet në vend. Norma është 34.3%.

Sipas raportit vjetor, shoqërisë në Shqipëri i atribuohen të ardhura mbi bazën e kostove operacionale plus një marzh fitimi prej 12% deri sa gazsjellësi të ndërtohet dhe të hyjë në shfrytëzim.

Kompania ka paguar tatimfitimi në vlerën 832 milionë lekë në vitin 2022.

5.GSA

GSA, me aktivitet në tregtimin e energjisë dhe të ferrokromit, u rendit për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave të “Monitor 200”, sipas fitimeve, po në vend të pestë.

Kompania deklaroi fitime prej 7.3 miliardë lekësh, mëse dyfish në krahasim me vitin e mëparshëm, me një normë prej 17.7%, nga rreth 22%, vitin e mëparshëm. Rritja e fitimit u ndikua nga shtimi i të ardhurave nga tregtimi i energjisë, i ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike në bursat europiane. Të ardhurat nga shitja e energjisë u dyfishuan në 26.6 miliardë lekë.

Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat totale të kompanisë ishin 41.2 miliardë lekë në vitin 2022, rreth 64% e të cilave erdhën nga shitja e energjisë. Pjesa tjetër u sigurua nga shitja e ferrokromit, që njohu një zgjerim prej 77.5% në krahasim me vitin e mëparshëm.

6.Albchrome

Eksportuesi i kromit, “Albchrome” renditet për të dytin vit radhazi në listën e kompanive me fitime më të mëdha të “Monitor 200”. Fitimi i kompanisë arriti në 5.4 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje prej 76% me bazë vjetore.

Të ardhurat u rritën me 36% në 18.6 miliardë lekë, të ndikuara nga koniunktura e favorshme ndërkombëtare e çmimeve të mineralit, ndërsa norma e fitimit u përmirësua në 29%.

Në shtator 2022, kompania mbylli përkohësisht pjesën më të madhe të aktivitetit për shkak të shtrenjtimit të energjisë. Kompania pohoi se mbyllja përkohësisht e prodhimit është ndikuar nga shtrenjtimi i lartë i çmimit të energjisë dhe rënia e kërkesës për ferrokrom nga fabrikat e çelikut në Europë dhe botë.

Sipas raportit të aktivitetit, Albchrome sh.p.k. filloi aktivitetin në prill 2000. Në 2007, shoqëria ndryshoi emrin e saj nga Darfo Albania Sh.p.k në Albanian Chrome Sh.p.k.

Ndryshimi i emrit erdhi si pasojë e ndryshimit në pronësi nga Darfo në ltali, e cila u ble nga DCM Deco­metal dhe Terwingo. Rrjedhimisht, gjatë 2010, Shoqëria ndryshoi emrin nga Darfo SRL në ACR Holding SRL dhe është një degë në pronësi të plotë të DCM Deco-metal në Austri.

Më 25 shkurt 2013, ACR Holding SRL-ltali u ble plotësisht nga Balfin sh.p.k.

Më 14 janar 2022, Balfin përfundoi një marrëveshje për shitjen e aksioneve të Albchrome Holding tek Yildirim International Mining Investments B.V., pjesë e Grupit Yildirim me qendër në Holandë dhe si rrjedhojë, shoqëria kontrolluese ka ndryshuar.

Kontrolli përfundimtar i shoqërisë mbahet nga Grupi Yildirim. Kompania vepron në bazë të një marrëveshjeve koncesionare, me qeverinë shqiptare për një fabrikë ferrokromi në Elbasan dhe dy miniera kromi në Përrenjas dhe Pojskë. Koncesioni përfundon në 31 dhjetor 2040.

7.Raiffeisen Bank

“Raiffeisen Bank” renditet e shtata në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, nga e treta vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 4.5 miliardë lekë, me rritje 9% me bazë vjetore. Norma e fitimit ishte gati 34.5%, me një rënie të lehtë në krahasim me vitin e mëparshëm. Të ardhurat arritën në 13.1 miliardë lekë (rritje 17%).

“Viti 2022 dëshmoi të ishte një vit i mbushur me sfida, për shkak të luftës në Ukrainë, pasojat e së cilës u ndien në të gjithë botën. Pavarësisht nga mjedisi i vështirë, Raiffeisen Bank sh.a. ka arritur rezultate shumë të mira financiare. Banka mbeti e mirëkapitalizuar dhe me një likuiditet të lartë.

Falë kontributit të të gjitha linjave të biznesit, fitimi neto pas tatimit (sipas Standardit SNRF) arriti në 3,84 miliardë lekë (ose 32,4 milionë euro) në fund të vitit 2022. Vëllimi i depozitave u rrit me gati 9% krahasuar me një vit më parë.

Si huadhënësi i dytë më i madh në vend, me rreth 17,3% të pjesës së tregut, ne kemi vijuar të mbështesim individët dhe bizneset, duke dhënë kredi gjatë gjithë vitit, duke e rritur totalin e kredive me 9,2%, një përqindje më e lartë se rritja totale e kredisë në sistemin bankar prej 7,7%”, citohet Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm, Kryetar i Drejtorisë, “Raiffeisen”, në raportin vjetor.

8.Ayen as Energy

“Ayen as Energy” është renditur për herë të parë në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve, pas rritjes me 181% në 4.1 miliardë lekë, me një normë prej 39%. Kompania raportoi të ardhura 10.5 miliardë lekë, me zgjerim prej 136% në raport me vitin e mëparshëm, e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të energjisë.

Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC-in e Fangut, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodh  imin pak vite më parë.

9.Banka OTP Albania

Banka “OTP Albania” është renditur për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve, të cilat u rritën me 36%, në 3.8 miliardë lekë, me një normë prej 52%. Përmirësimi i rezultatit erdhi nga rritja e të ardhurave nga interesat dhe mbajtja nën kontroll e shpenzimeve.

Të ardhurat arritën në 7.2 miliardë lekë, me rritje 41% me bazë vjetore, pas bashkimit me përthithje me “Alpha Bank”, proces që u finalizua në vitin 2022.

“Për sa u përket indikatorëve financiarë, për të katërtin vit radhazi, Banka OTP Albania renditet e para për kthim në kapital (ROE) dhe për të parën herë në vitin 2022 u renditëm të parët në nivel grupi për këtë indikator.

Raporti shpenzime/të ardhura për vitin fiskal 2022 është raportuar 45.08%, duke na renditur ndër bankat më të mira në Shqipëri, ndërkohë që renditemi të tretët për sa i përket portofolit të kredive me 15.4% të tregut dhe të dytët për financimin e segmentit korporatë”, pohon Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të Menaxhimit, në raportin vjetor.

Sipas raportit vjetor, në datën 1 dhjetor 2022, “OTP Bank” dhe “Alpha Bank Albania” sh.a.” u bashkuan ligjërisht duke përfshirë aktivet dhe detyrimet e “Alpha Bank” në “OTP”. Numri i punonjësve në fund të vitit 2022 arriti në 819, nga 469 në dhjetor 2021.

Numri i degëve u rrit në 61, nga 31 në fund të vitit 2021.

10.Tirana International Airport

“Tirana International Airport”, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, është për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, pasi kishte dalë në vitin e pandemisë.

Në vitin 2022, fitimet e saj u rritën me 65% në 3.6 miliardë lekë, duke ia kaluar dhe 2019-s, që kishte qenë viti më i mirë historik (3.1 miliardë lekë). Norma e fitimit u përmirësua me rreth 4 pikë përqindje, në 43.7%.

Përmirësimi i fitimeve erdhi pas rritjes me 48% të të ardhurave në vitin 2022, duke arritur në 8.3 miliardë lekë, e ndikuar nga shtimi i ndjeshëm i pasagjerëve, si rrjedhojë e kthimit të vendit në një destinacion të preferuar turistik, por edhe hyrjes së linjave low cost që ulën ndjeshëm çmimet e biletave.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2022, rreth 5 milionë shtetas kanë lëvizur përmes ajrit, me rritje 75% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rekord historik.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor