Vendosni fjalën kyçe....

Arrihet marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, armëpushim 4 ditor dhe shkëmbim i pjesshëm i pengjeve


Ushtria izraelite ka pranuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve dhe për një armëpushim të përkohshëm me grupin palestinez Hamas në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit publik KAN, “ushtria planifikon të përdorë armëpushimin për të ri-organizuar forcat e saj në përgatitje për zgjerimin e operacionit të saj tokësor në Gazën jugore”.

Sipas transmetuesit, marrëveshja e propozuar përfshin një armëpushim katër-ditor dhe lirimin e 50 pengjeve në këmbim të 150 palestinezëve në burgjet izraelite.

Izraeli vlerëson se të paktën 239 izraelitë po mbahen nga Hamasi në Gaza pas sulmit ndërkufitar më 7 tetor.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në mbi 14.128, përfshirë 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.