Vendosni fjalën kyçe....

Dy të arrestuar në Dibër, njëri në kërkim për vrasje, tjetri për ndihmë ndaj klandestinëve


Policia e Dibrës ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 1 shtetas të akuzuar për vrasje, si dhe ka ndaluar një tjetër të akuzuar nga GjKKO-ja, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Viktor (Xhevahir) Elezi, akuzuar për vrasje me dashje dhe Albert Xhilaga (alias Uran Zira), i akuzuar nga GjKKO-ja, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

NJOFTIMI I POLICISË

  • Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin V. (Xh.) E., 43 vjeç, banues në fshatin Pollazhan, Dibër. Gjykata e Apelit Tiranë i ka caktuar këtë masë sigurie dhe e ka dënuar me 16 vjet burg, 43-vjeçarin, pas hetimeve për vrasjen e shtetasit A. K., të kryer në vitin 2017.
  • Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Bllatë, ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Xh. alias U. Z., 42 vjeç, banues në Dibër, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.