Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë ndodhi në katër orët e samitit Biden-Xi


Presidenti i SHBA-së Joe Biden doli të mërkurën nga katër orë bisedime me udhëheqësin kinez Xi Jinping i bindur se marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Kinë po përmirësoheshin, duke mbrojtur marrëveshjet për frenimin e prodhimit të fentanilit dhe rivendosjen e komunikimit ushtarak, ndërkohë që pranoi se ka ende tendosje të thella.

Biden tha se ai dhe Xi kishin rënë dakord secili të kapte telefonin dhe të flisnin gjatë periudhave të mosmarrëveshjeve dhe i quajti bisedimet “disa nga diskutimet më konstruktive dhe produktive që kemi pasur”.

Megjithatë, duke u larguar nga samiti pas një konference për shtyp, Biden tha se ai ende e konsideronte Xi-në një diktator, pavarësisht përparimit që ata kishin arritur gjatë takimit të tyre. Rezultatet mbi fentanilin dhe komunikimin ushtarak priteshin përpara bisedimeve dhe përbëjnë një përparim të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve ende të tensionuara midis Uashingtonit dhe Pekinit. Gjatë konferencës së tij për shtyp pas samitit, Biden përmblodhi qasjen e tij ndaj udhëheqësit kinez.

“Besoni, por verifikoni, siç thotë thënia e vjetër,” tha ai.

Biden kishte synuar të përdorte takimin për të vendosur marrëdhëniet SHBA-Kinë në baza më të qëndrueshme pas muajsh tensioni midis dy superfuqive. Përpara bisedimeve, zyrtarët amerikanë ishin të kujdesshëm për sa u përket pritshmërive, duke thënë se nuk prisnin një listë të gjatë rezultatesh apo edhe një deklaratë të përbashkët të liderëve, siç është zakon pas samiteve të tilla.

Objektivi kryesor i bisedimeve dukej se ishte rivendosja e kanaleve të komunikimit, kryesisht nëpërmjet ushtrisë, për të shmangur llojin e keqkomunikimit ose llogaritjeve të gabuara që zyrtarët amerikanë frikësohen se mund të çojë në përplasje të hapur.

“Përgjegjësia ime është ta bëj këtë racionale dhe të menaxhueshme, në mënyrë që të mos çojë në luftë. Kësaj i qëndroj,” tha Biden më pas.

Biden tha se Kina pranoi të godasë kompanitë që prodhojnë kimikate pararendëse të fentanilit, narkotikëve të fuqishëm që ka nxitur një krizë droge në Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja do vëzhgojë nga afër nëse Kina do ndjekë zotimet e marra në samit.

Presidenti tha se marrëveshja nga Kina për të pakësuar kimikatet pararendëse për fentanilin do “shpëtonte jetë” dhe tha se ai vlerësonte zotimin e Xi-së për këtë çështje.

Xi gjithashtu ra dakord për mekanizmat që do adresonin llogaritjet e gabuara të mundshme ushtarake dhe ra dakord për forume për të dy palët për të paraqitur shqetësimet e tyre.

Zyrtarë të lartë të administratës Biden thanë që përpara samitit të së mërkurës se homologët e tyre kinezë kishin qenë “ngurrues” gjatë muajve të fundit për të rënë dakord për rivendosjen e komunikimeve ushtarake.

Por ishte një çështje që vetë Biden dhe këshilltarët e tij të lartë si Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin e ngritën në “pothuajse çdo bisedë që kemi pasur me kinezët”, duke nënvizuar se ishte “absolutisht e rëndësishme” që ky kanal të rihapej.

Zyrtarët amerikanë thanë se incidenti i balonës se dyshuar spiune kineze, në veçanti, nënvizoi rëndësinë e komunikimit ushtarak.

Përpjekjet për të frenuar tensionet

Pavarësisht nga një marrëdhënie e thellë dhe në dukje e ngrohtë personale e kultivuar gjatë kohës së tyre si zëvendëspresidentë – Biden i uroi gruas së Xi-së ditëlindjen në një çast gjatë samitit, me liderin kinez që e falënderoi për kujtesën – të dy burrat kanë mbikëqyrur një përkeqësim në marrëdhëniet SHBA-Kinë në nivelin më të ulët në dhjetëvjeçarë.

Bisedimet në Kaliforni ishin “shumë të drejtpërdrejta” dhe përfshinin më shumë diskutime të dyfishta midis dy burrave sesa takimi i tyre një vit më parë, tha një zyrtar i lartë amerikan. Presidenti amerikan ishte “shumë i drejtpërdrejtë” me Xi-në për një numër temash, tha zyrtari, ndërsa Xi gjithashtu ngriti shqetësimet e tij për retorikën brenda Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës.

Sipas transkripteve të ofruara nga zyrtarët amerikanë dhe media shtetërore kineze, dukej se të dy udhëheqësit ishin shumë të çiltër me njëri-tjetrin.

Xi në një moment u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që “të mos bëjnë plane për të shtypur ose frenuar Kinën”, raportuan mediat shtetërore kineze.

“Kina nuk ka plane për të tejkaluar apo rrëzuar Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë plane për të shtypur apo përmbajtur Kinën”, tha Xi, sipas një qëndrimi të lëshuar nga agjencia shtetërore e lajmeve kineze Xinhua.

Burrat patën një shkëmbim “të konsiderueshëm” mbi Tajvanin dhe Xi e bëri të qartë se shqetësimet mbi ishullin ishin çështja më e madhe dhe më e rrezikshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Xi tha se parapëlqëimi i Kinës ishte për ribashkim paqësor dhe përcaktoi kushtet në të cilat do përdorej përdorimi i forcës. Biden u përgjigj duke përsëritur qëndrimin e SHBA-së për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Presidenti Xi u përgjigj: Shikoni, paqja është e mirë, por në një çast ne duhet të shkojmë drejt zgjidhjes në përgjithësi,” tha zyrtari i lartë amerikan. Xi gjithashtu i kërkoi SHBA-së të ndalojë armatosjen e Tajvanit dhe të mbështesë “ribashkimin paqësor” të Kinës, sipas një pohimi të lëshuar nga Xinhua.

Në takim, SHBA-ja i kërkoi Kinës të respektojë procesin zgjedhor të Tajvanit përpara një votimi në janar. Pavarësisht shqetësimeve të vijueshme për grumbullimin e madh ushtarak të Kinës rreth Tajvanit, zyrtarët amerikanë dolën nga takimi duke besuar se Xi-ja nuk po përgatitej për një pushtim masiv.

“Unë përsërita atë që kam thënë që kur jam bërë president, dhe atë që ka thënë çdo president i mëparshëm kohët e fundit: Që ne mbajmë një marrëveshje se ekziston një politikë e Një Kine dhe se unë nuk do ta ndryshoj atë. Kjo nuk do të ndryshojë”, u tha Biden gazetarëve që udhëtonin me të në San Francisko.

“Dhe kjo ka të bëjë me masën në të cilën e diskutuam.”

Fusha të tjera diskutimi

Gjatë një shkëmbimi mbi luftën midis Izraelit dhe Hamasit, Biden bëri pjesën më të madhe të bisedës dhe Xi kryesisht dëgjonte, tha një zyrtar i lartë amerikan. Biden e nxiti Xi-në të përdorte marrëdhënien e Kinës me Iranin për të paralajmëruar kundër një përshkallëzimi më të gjerë. Në bisedime, ministri i Jashtëm Ëang Yi tha se ata tashmë kishin zhvilluar diskutime me iranianët për këtë temë.

Më pas mbeti e paqartë për ndihmësit e Biden-it se sa seriozisht po i merrte Irani mesazhet e Kinës. Në bisedime, Biden i bëri të qartë Xi-së se ai e shikonte Hamasin si të ndarë nga palestinezët.

Në një shkëmbim në lidhje me kufizimet që SHBA-ja ka aplikuar në eksportet e teknologjisë në Kinë, Xi i krahasoi hapat me “përmbajtjen teknologjike”. Biden u përgjigj drejtpërdrejt duke thënë se SHBA nuk do t’i ofronte Kinës teknologji që mund të përdorej ushtarakisht kundër saj.

Biden gjithashtu ngriti shqetësime të drejtpërdrejta te Xi për ngacmimet e bizneseve amerikane në Kinë, tha zyrtari.

Dy burrat diskutuan për inteligjencën artificiale dhe ranë dakord të punojnë së bashku duke ecur përpara në teknologjinë e re.

Dhe Biden i tha Xi-së se ishte e rëndësishme që Kina të ishte më transparente në çështjet bërthamore, pasi ajo po e zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj.

Biden “nuk e goditi tavolinën me grusht “, tha zyrtari, duke vënë në dukje se Xi përjeton pak shtyrje brenda sistemit kinez, duke shtuar se presidenti i SHBA ishte “i respektueshëm” por “i qartë”.

Një takim shumë koreografik

Me konflikte të ndezura në Lindjen e Mesme dhe Evropë, ndërsa përgatitet për rizgjedhje, Biden shpresonte të parandalonte që një krizë tjetër të shpërthente gjatë presidencës së tiji. Ai nuk po kërkonte vetëm t’u tregonte amerikanëve – por edhe Xi-së drejtpërdrejt – pse një marrëdhënie e përmirësuar me Pekinin është në interesin e të gjithëve.

“Mendoj se është thelbësore që ju dhe unë ta kuptojmë njëri-tjetrin qartë, si udhëheqësi me udhëheqësin, pa keqkuptime apo keqkomunikime”, i tha Biden, Xi-së ndërsa bisedimet e tyre po zhvilloheshin në një pronë të izoluar në jug të San Franciskos.

Duke folur më pas, Xi ofroi pikëpamjen e tij për çastin e ndërlikuar në lidhjet SHBA-Kinë.

“Planeti Tokë është mjaft i madh që të dy vendet të kenë sukses”, tha ai.

Optika e samitit u negociua me kujdes midis dy palëve dhe mirëpritja formale ishte shumë koreografike. Si mikpritës i takimit, Biden doli nga ndërtesa i pari për të mirëpritur Xi-në. Një tapet i kuq ishte shtrirë, me roje nderi dhe flamuj nga të dy vendet. Makina e zezë e presidentit kinez u ndal në fund të tapetit. Xi doli me një buzëqeshje dhe të dy burrat shtrënguan duart. Ndërsa takimi po zhvillohej, Biden i tha Xi-së se është thelbësore që të kenë një mirëkuptim të çiltërv për njëri-tjetrin.

Biden tha se udhëheqësit kishin një përgjegjësi ndaj popullit të tyre për të punuar së bashku, duke përfshirë çështjet e ndryshimeve klimatike, kundër trafikimit të narkotikëve dhe afrimit të inteligjencës artificiale. Ai shtoi se konkurrenca midis SHBA-së dhe Kinës nuk mund të anonte drejt luftës.

“Si gjithmonë, nuk ka asnjë zëvendësim për diskutimet ballë për ballë. Unë i kam parë gjithmonë diskutimet tona të drejtpërdrejta dhe të çiltërta,” tha Biden.

Duke folur pas Biden-it, Xi ofroi një pamje më të ashpër të lidhjeve SHBA-Kinë.

“Marrëdhënia Kinë-SHBA nuk ka qenë kurrë e qetë gjatë 50 viteve të fundit dhe gjithmonë përballet me probleme të një lloji apo tjetër. Megjithatë, ajo ka vijuar të ecë përpara mes kthesave dhe sfidave,” tha ai përmes një përkthyesi.

“Për dy vende të mëdha si Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kthimi i shpinës nuk është i mundur,” vijoi ai. “Është jo e vërtetë që njëra palë do rimodelojë tjetrën dhe lufta e përplasja do kanë pasoja të padurueshme për të dyja palët.”

Duke kundërshtuar pikëpamjen e Biden për “konkurrencën” midis SHBA-së dhe Kinës, Xi tha se ai ishte “ende i mendimit se konkurrenca e vendeve kryesore nuk është tendenca mbizotëruese e kohës së tanishme dhe nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballen Kina dhe Shtetet e Bashkuara apo bota”.

Një ngërç politik

Për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, zyrtarët amerikanë kanë hedhur bazat për samitin. Me qëllim të rivendosjes së kanaleve diplomatike midis dy vendeve, Sullivan është takuar me Ëang tre herë, ndërsa Blinken, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen, Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo dhe i dërguari i SHBA për klimën John Kerry kanë udhëtuar të gjithë në Pekin.

Udhëzimet janë shtrirë edhe në drejtimin tjetër, me zyrtarët më të lartë të Kinës – përfshirë ministrin e saj të Jashtëm – që kanë udhëtuar në SHBA për t’u takuar me homologët e tyre amerikanë. Zyrtarët amerikanë thanë se këshillimet në nivel pune ishin krijuar me Pekinin për tema veçanërisht të ndjeshme si kontrolli i armëve dhe çështjet detare.

Burime të njohura me këto përpjekje thonë se Uashingtoni ka parë shenja në muajt e fundit se kinezët kanë filluar të pranojnë të punojnë së bashku për të forcuar linjat e tyre të komunikimit dhe për të zbutur keqkuptimet.

Megjithatë, ndërsa Biden po përgatitej për samitin e së mërkurës, republikanët vunë në dyshim vendimin e tij për të kërkuar një takim me Xi-në. Nikki Haley, ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut që kërkon nominimin presidencial të republikanëve, pretendoi se Biden ishte “lutur” për takimin.

Republikanët në një komitet të përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën i dërguan Biden-it një letër ku shpreheshin fushat që ata besojnë se ai duhet të sfidojë Xi-në, duke përfshirë ndalimin e gabuar të amerikanëve dhe prodhimin e fentanilit.

Biden dhe ndihmësit e tij janë shumë të vetëdijshëm për sfondin politik të takimit të tij. Sullivan tha se Biden “po kërkonte mënyra praktike për t’i treguar popullit amerikan se të ulesh me Xi Jinping mund të mbrojë interesat amerikane dhe gjithashtu të japë përparim në prioritetet e popullit amerikan”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani