Vendosni fjalën kyçe....

Macron “tërhiqet”, i shpjegon presidentit izraelit komentin e ‘vrasjes së foshnjave’


Presidenti francez Emmanuel Macron duket se është tërhequr nga komentet e tij për sulmet izraelite që vranë shumë civilë në Gaza, të cilat ai i bëri në një intervistë me BBC të premten ndërsa bëri thirrje për një armëpushim.

Vërejtjet shkaktuan një reagim të ashpër nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili akuzoi Macron për “një gabim të rëndë, faktik dhe moralisht”.

Të dielën, udhëheqësi francez mori në telefon presidentin e Izraelit për të sqaruar pozicionin e tij, duke thënë se ai “nuk kishte ndërmend të akuzonte Izraelin për dëmtim të qëllimshëm të civilëve të pafajshëm”, sipas zyrës së presidentit izraelit Isaac Herzog.

Herzog tha se vërejtjet kishin “shkaktuar shumë dhimbje dhe mërzitje në Izrael”.

Macron gjithashtu përsëriti mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe përkushtimin e tij për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, duke shpjeguar se komentet e tij ishin “bërë në lidhje me gjendjen humanitare”.

Herzog thuhet se e siguroi homologun e tij francez se Izraeli po merrte “të gjitha masat e mundshme për të parandaluar dëmtimin e civilëve të papërfshirë” dhe ia hodhi fajin Hamasit për vdekjet e civilëve.

Të premten, Macron i tha BBC-së se ai “dënon qartë” sulmin e Hamasit ndaj Izraelit. Megjithatë, ai tha gjithashtu se, “de fakto, sot bombardohen civilët… këto foshnja, këto zonja, këta të moshuar bombardohen dhe vriten”.

Ai shtoi se “nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet”, duke i kërkuar Izraelit të ndalojë. Ai shtoi se një armëpushim humanitar ishte zgjidhja e vetme për të mbrojtur të gjithë civilët në Gaza.

Më shumë se 11,000 civilë palestinezë janë vrarë në më shumë se katër javë bombardime, me të paktën 8,000 prej të cilëve ishin gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Ndërsa më shumë se  1400 izraelitë u varën në sulmet e Hamasit më 7 tetor.