Presidenti iranian Ebrahim Raisi ndodhet në kryeqytetin saudit Riad për një samit të madh mbi luftën Izrael-Hamas, ku liderët arabë bënë presion për t’i dhënë fund konfliktit.
Ky shënon udhëtimin e parë të një udhëheqësi iranian në Arabinë Saudite në 11 vjet pasi të dy vendet rivendosën marrëdhëniet diplomatike në mars.
Ai shtrëngoi duart me princin e kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), trashëgimtarin e fronit saudit dhe sundimtarin de fakto të vendit.
Duke folur në samit, Raisi tha se të gjithë të pranishmit ishin mbledhur atje në emër të botës islame për të “shpëtuar palestinezët”, sipas CNN.
“Ne jemi mbledhur këtu sot për të diskutuar fokusin e botës islame, e cila është kauza palestineze, ku kemi qenë dëshmitarë të krimeve më të këqija në histori…Sot është një ditë historike në mbrojtjen dhe mbështetjen heroike të xhamisë Al-Aksa.” ai shtoi.
Raisi tha se historia e Gazës është një “luftë midis dy boshteve” dhe bota duhet të përcaktojë se në cilën anë është, “anën e fisnikërisë apo anën që shkatërron brezat njerëzorë”.
Presidenti iranian kritikoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre ndaj ofensivës izraelite, duke thënë se Uashingtoni është “partneri kryesor në këto krime”.
Në fjalën e tij hyrëse, MBS tha se Mbretëria “e kundërshton kategorikisht” luftën të cilës po i nënshtrohen palestinezët.
“Ky samit po mbahet në rrethana të jashtëzakonshme dhe të dhimbshme,” tha ai.
“Ne e refuzojmë kategorikisht këtë luftë brutale që po i nënshtrohen vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë… ne ripërtërijmë kërkesën tonë për një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake.”
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas tha se SHBA “mban përgjegjësinë për mungesën e një zgjidhjeje politike” pasi ka ndikimin më të madh në Izrael.
Ndërkohë merr pjesë edhe lideri i Sirisë.