Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan: Turp që Perëndimi gjithnjë flet për të drejtat e njeriut, por hesht për masakrën në Palestinë


Duke folur në një samit urgjent të përbashkët të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në kryeqytetin saudit Riad, Erdoğan tha: “Është turp që vendet perëndimore, të cilat gjithnjë flasin të drejtat dhe liritë e njeriut, heshtin për masakrën në Palestinë”.

“Kemi përballë një barbarizëm të paprecedentë në histori, ku spitalet, shkollat dhe kampet e refugjatëve po bombardohen dhe civilët po masakrohen”, shtoi ai.

Ai theksoi se është jetike dërgimi i karburantit në vendet në nevojë urgjente, veçanërisht spitalet në Gaza.

“Ne besojmë se duhet të krijohet një fond në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam për rindërtimin e Gazës”, propozoi presidenti turk, sipas AA.

“Ata që heshtin përballë zullumit janë po aq partnerë në gjakderdhje sa edhe zullumqarët”, tha po ashtu Erdoğan.

Ai deklaroi se armët bërthamore, ekzistenca e të cilave pranohet nga ministrat izraelitë, duhet të hetohen.

Ndryshe, Mbretëria e Arabisë Saudite është nikoqire e një samiti të përbashkët të jashtëzakonshëm të Ligës Arabe dhe OBI-së.

Përfaqësuesit e botës islame po shkëmbejnë ide rreth hapave konkretë që do të ndërmerren në lidhje me zhvillimet e fundit.

Prej ditësh, ushtria izraelite ka përshkallëzuar sulmet e saj kundër spitaleve në Rripin e Gazës, duke ndërmarrë sulme të dhunshme që çuan në vdekje dhe plagosje, përveç shqetësimit të madh për fatin e personave të zhvendosur në ato spitale.

Të premten në mbrëmje, avionët izraelitë intensifikuan sulmet e tyre kundër spitaleve në Rripin e Gazës. Ata vazhduan sulmet e tyre në afërsi të Spitalit Al-Shifa, Spitalit Indonezian, Spitalit Al-Awda, Spitalit Al-Quds dhe Spitalit të Fëmijëve Al-Rantisi.

Të paktën 11.078 palestinezë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga shpërthimi i konfliktit pas një operacioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.