Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm italian: Marrëveshja për emigrantët e ka zanafillën që nga prilli dhe jo nga pushimet e Melonit


Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka zbuluar se marrëveshja e emigrantëve me Italinë e ka sfondin e saj që prej prillit të këtij viti dhe jo siç u prezantua se ndodhi gjatë pushimeve të kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri.

Nga takimi i ministrave të Jashtëm të G7, Tajani në një intervistë për Corriere della Sera foli për polemikat rreth marrëveshjes me Shqipërinë për çështjen e emigrantëve dhe nëse kryeministrja Meloni ka bërë gjithçka me kokën e saj.

Ministri Tajani shpjegoi se negociatat janë menaxhuar fillimisht nga ministria e Jashtme dhe se takimi i parë operacional është zhvilluar më 6 prill të këtij viti.

Ai thekson se posedon dhjetëra procesverbale, emaile, raporte takimesh mes zyrtarëve dhe liderëve shqiptarë.

“Kam lexuar histori dhe artikuj në gazetat italiane që janë vërtet absurde, të rreme. Është një marrëveshje e gjithë qeverisë italiane, mbi të cilën kanë punuar së bashku Kryeministria Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. I gjithë negocimi, që në fazat fillestare, u menaxhua normalisht nga ministria ime.

Takimi i parë përgatitor u mbajt në zyrën time në Palazzo Chigi. Pas një takimi fillestar që pata me Giorgia Melonin, organizova një takim më 6 Prill 2023, takim paraprak operacional mes Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme dhe ambasadës tonë në Tiranë.

Nuk është një marrëveshje e lindur gjatë një gotë verë në kohë pushimesh. Misioni i parë operacional në Tiranë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Punëve të Brendshme ka filluar më 24 maj. Kemi dhjetëra procesverbale, emaile, raporte takimesh mes zyrtarëve tanë dhe me liderët shqiptarë”, thotë ministri i Jashtëm italian.

Lidhur me kritikat për marrëveshjen dhe për ato çka supozohet se janë shkelje të rregullave të pritjes së emigrantëve, ministri tha se është diskutuar gjithçka me Ministrinë e Drejtësisë për të shqyrtuar çdo aspekt ligjor.

“Në punën tonë kemi përfshirë Ministrinë e Drejtësisë për të shqyrtuar çdo aspekt ligjor. Është një nismë që synon të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore me bashkëpunimin e një vendi kandidat për t’u bërë anëtar i BE-së. Shqipëria ndan me ne idenë se çështja e emigracionit mund të zgjidhet së bashku”, përgjigjet Ministri i Jashtëm italian, njëkohësisht ish Kryetar i Parlamentit Europian.