Vendosni fjalën kyçe....

Blendi Klosi: Njohim Bashën si Kryetar të PD-së, Ahmetaj do vijojë të jetë në PS


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë një interviste për emisionin “Pa Censurë”, foli për situatën politike në Kuvend, pozitën e Arben Ahmetajt renda kampit të majtë apo edhe ndryshimet në Kodin Penal.

Lidhur me situatën në Kuvend Klosi tha se PS ka dëshirë për dialog, por nuk ka se me kë dialogon.

Ai solli në vëmendje si shkak të anormalitetit aktual në parlament luftën e brendshme në PD, duke mos pranuar si arsye komisionet hetimore apo përfaqësimin e PD në komisionin e reformës zgjedhore.

Basha, Berisha dhe Bardhi, që përfaqësojnë 3 grupime të caktuara, përpiqen të krijojnë lidershipin e tyre dhe se kush do ta marrë partinë post Berishë. Edhe karikimi i kohëve të fundit i grupit të zotit Bardhi, që ka qenë ndër më luftarakët kundër Berishës, ndërsa tani mbështesin kauzën e tij opozitare, është se e kanë kuptuar se zoti Berisha do të ketë një moment të vështirë me drejtësinë dhe kuptohet që nuk mund të jetë më kryetar i PD.”- tha Klosi, i cili ishte krejt direkt, kur i duhej të përgjigjej se pse PS nuk pranon të ndryshojë përfaqësuesi e grupit parlamentar të PD në komisionin e reformës zgjedhore.

Bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore, do të jetë ai që ka firmën dhe vulën e PD. Me këtë firmë dhe vulë është zgjedhur Enkelejd Alibeaj të jetë bashkëkryetar”– u shpreh Blendi Klosi, duke treguar prirjen e PS për të bashkëpunuar me grupin e zotit Basha.

Kryetarja e Kuvendit ka një dokument me vulë dhe firmë që e përjashton Gazment Bardhin nga PD. Kryetarja respekton të njëjtën firmë dhe vulë që e ka sjellë zotin Bardhi deputet dhe më pas si kryetar grupi. Tani që e njëjta firmë dhe vulë e ka përjashtuar të mos e njohë?– u shpreh Blendi Klosi, duke mos pranuar argumentin se marrëdhëniet me parlamentin nuk diktohen nga partitë, por nga deputetët dhe grupet parlamentare.

Ne njohim për kryetar grupi zotin Basha, atë që ka firmën dhe vulën e PD. Mos i kërkoni Lindita Nikollës dhe PS të zgjidhë problematikën e PD. Ne e njohim zotin Basha, sepse gjykata e njeh zotin Basha si Kryetar të PD. Nga kjo rrjedhin të gjithë hallkat e tjera.”- theksoi zoti Klosi, pa i dhënë përgjigje pyetjes pse në Konferencën e Kryetarëve thirret si kryetar grupi Gazment Bardhi dhe jo Lulzim Basha.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave, por ndryshe nga 2 deputetë të tjerë të PS, që po përballen me drejtësinë për çështjen e incineratorëve, Arben Ahmetaj nuk hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Ai sot figuron ende si deputet i grupit parlamentar të PS dhe do të vazhdojë si i tillë derisa mandati i tij të skadojë. Blendi Klosi theksoi se për Arben Ahmetaj nuk do të ketë një vendim përjashtimi.

Nuk ka patur përjashtim, ka patur dorëheqje. Është një çështje që po e gjykon drejtësia. Nuk gjykojmë dot ne për mandatin e zotit Ahmetaj. Është një çështje që nuk ka të bëjë me PS. Është një raport i vetë zotit Ahmetaj me drejtësinë dhe ai raport do të zgjidhet nga organet ligjzbatuese. Për aq kohë sa e ka mandatin nga legjislacioni në fuqi do vijojë”-tha Klosi.

Klosi konfirmoi se po punohet për një Kod të ri Penal modern. Megjithëse tha se nuk dinte detaje nëse do hiqej shpërdorimi i detyrës si nen nga Kodi.

PS e ka shprehur hapur që kemi nevojë të rishikojmë Kodin. Po punohet për lehtësimin e këtij kodi. Është një punë e mirë e bërë nga Ministria e Drejtesisë dhe do të jetë pjesë e diskutimit publik. Kodi Penal është vendimarrje me shumicë të cilësuar. Kërkon diskutim dhe dakordësim me opozitën, pasi ne nuk i kemi 84 vota dhe një forcë e vetme politike s’i ka patur asnjëherë. Mesa po duket, pas 2025-ës do t’i kemi më shumë. . Ajo që kam informacion është që Ministria e Drejtësisë po punon me juristë për të realizuar ndryshimet të mira të Kodit Penal”-tha Klosi.