Vendosni fjalën kyçe....

Doganat kanë arkëtuar 109 mln euro më pak në 9-mujor nga vlerësimi i lekut


Doganat përllogarisin se kanë humbur 11,5 miliardë lekë (109 mln euro) për periudhën 9-mujore si rrjedhojë e efektit negativ që krijoi forcimi i lekut ndaj euros.

Ministria e Financave ka analizuar se programimi i të ardhurave tatimore për vitin 2023, i cili filloi të dizajnohet në shtator 2022, u ndërtua mbi bazën e supozimeve të kursit të këmbimit euro/ lekë për rreth 120 lekë dhe USD/lekë për rreth 110 lekë. Mbi këtë bazë u programuan edhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar në importimin e mallrave.

Por, gjatë vitit 2023, ka pasur një deviacion të theksuar në ulje nga kursi i këmbimit i projektuar, çka ka ndikuar ndjeshëm te të ardhurat nga TVSH-ja në import.

Baza mbi të cilën llogaritet tatimi mbi vlerën e shtuar në import ka pasur ndikim jo vetëm nga tendenca në rënie e çmimeve të mallrave të importuara në 2023 krahasuar me rritjen e tyre në vitin 2022, por më së shumti, por nga ulja e vlerës mbi të cilën llogaritet TVSH-ja në import për shkak të kursit të këmbimit.

“Për periudhën janar-shtator, efekti negativ në  të ardhurat nga TVSH-ja në import ka qenë -11.5 miliardë lekë vetëm nga faktorët e kursit të këmbimit” kanë përllogaritur doganat.

Nëse ky trend i kursit të këmbimit do të vijojë në nivelin e tanishëm, efekti negativ në të ardhurat nga TVSH-ja në import do të vazhdojë të rritet edhe në muajt tetor-dhjetor, ndërkohë që pjesërisht mund të kompensohet nga rritja e volumeve të mallrave të importuara. Kjo ka qenë arsyeja kryesore për të cilën Ministria e Financave gjatë rishikimit të buxhetit 2023 në aktin e fundit normativ reduktoi të ardhurat vjetore nga TVSH-ja me -10.9 miliardë lekë krahasuar me planin fillestar 2023.

Pas pandemisë Covid-19 kërkesa për mallra nisi të rritej me shpejtësi dhe u nxit më tej nga lufta në Ukrainë, duke sjellë rritje jo të zakonte të çmimeve. Duke qene se TVSH vilet në % të çmimit, inflacioni i lartë ndihmuar se tepërmi të ardhurat publike.

Ministria e Financave përllogariti se përveç vlerësimit të lekut këtë vit ndikoi negativisht në arkëtimet nga TVSH-ja edhe ulja e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Importi i energjisë elektrike në 8-mujorin e vitit 2023 ka gjeneruar 3 herë më pak të ardhura nga TVSH-ja e energjisë në buxhet krahasuar me 8-mujorin e vitit 2022. TVSH-ja e arkëtuar gjatë 8-mujorit 2022 në importimin e energjisë elektrike nuk mund të kompensohej në vitin 2023 nga prodhimi i brendshëm, pasi TVSH-ja në import llogaritej mbi çmimet tejet të larta të importit të asaj periudhe (200-500 EUR për Mwh). Ndërkohë, TVSH-ja e energjisë që prodhohet në vend dhe u shitet konsumatorëve familjarë gjeneron TVSH-në mbi një çmim shumë herë më të ulët (9.5 lekë/Kwh).

Edhe në importin e karburanteve ka pasur më pak të ardhura në vitin 2023 krahasuar me 2022, për të njëjtin shkak të uljes së bazës së llogaritjes së TVSH-së në import, pavarësisht se sasia e importuar është rritur. Nga ulja e çmimit të karburanteve janë arkëtuar rreth 3.5 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar në 9 mujor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor