Vendosni fjalën kyçe....

Begaj uron Presidentin Erdogan për 100-vjetorin e Shpalljes së Republikës së Turqisë


Presidenti Bajram Begaj, i ka dërguar një telegram urimi homologut turk, Rexhep Taip Erdogan, për 100 vjetorin e Ditës së Shpalljes së Republikës së Turqisë.

Presidenti ka vlerësuar ndër të tjera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë si dhe mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat e bashkëpunimit.  Begaj gjithashtu ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite.

Urimi i plotë:

Në emrin e popullit shqiptar dhe emrin tim, përcjell urimet mё tё mira pёr Ju personalisht dhe përmes jush, popullit mik turk. Vlerësoj me shumë kënaqësi, se marrëdhëniet e partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi kanë hyrë në një fazë të re e shumë dinamike. 100 vjetori i Republikёs sё Turqisё pёrkon edhe me 100 vjetorin e marrёdhёnieve diplomatike mes dy vendeve tona.

Shenjё kuptimplote e angazhimit tonё tё pёrbashkёt qё nё krye tё herёs, ndaj jam besimplotë për të ardhmen e tyre të shkëlqyer. Shqipëria çmon kontributin Tuaj personal dhe të Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Shprehim besimin në vazhdimësinë e mëtejshme të këtij angazhimi, si një dëshmi e forcimit të miqësisë midis dy vendeve e popujve tanë. Mirënjohje të thellë për mbështetjen e vyer që Turqia mike i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite.