Vendosni fjalën kyçe....

OKB: Operacionet e ndihmës në Gazë rrezikojnë të kufizohen


Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë paralajmëroi të mërkurën se pa një furnizim të menjëhershëm me karburant, do t’i duhet që së shpejti të pakësojë ndjeshëm, operacionet e shpërndarjes së ndihmës në të gjithë Rripin e Gazës.

Ditët e fundit, Izraeli lejoi futjen në territor të një numri të vogël kamionësh me ndihma nëpërmjet kufirit me Egjiptin, por ndaloi furnizimet në karburant.

Rajoni është izoluar dhe goditur nga sulme ajrore shkatërruese që Izraeli i ndërmori si kundërpërgjigje ndaj sulmit brutal të militantëve të Hamasit më 7 tetor, përcjell VOA.

Hamasi konsiderohet nga Departamenti amerikan i Shtetit si organizatë e huaj terroriste.

Paralajmërimi i OKB-së vjen ndërsa spitalet në Gazë po hasin në vështirësi për të trajtuar një numër të madh të plagosurish, e në kushtet kur burimet po u pakësohen. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi, thanë se numri i të vdekurve po rritej, mes sulmesh të pareshtuara ajrore izraelite ndaj territorit, gjatë natës deri të mërkurën.

Ministria tha se prej ditës së martë deri të mërkurën ishin vrarë më shumë se 750 persona. Shifrat nuk jepnin detaje se sa mes tyre ishin civilë dhe sa militantë të Hamasit. Agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e ofruara nga Hamasi, i cili pretendon se pasqyron të dhëna që vijnë nga zyrtarët e spitaleve.

Ushtria izraelite bëri të ditur se si pasojë e sulmeve të saj ishin vrarë militantë dhe kishin shkatërruar tunele, qendra komanduese, depo armësh dhe objektiva të tjera ushtarake, që sipas Izraelit, Hamasi i ka ndërtuar qëllimisht, mes qendrave të banimit në Gazë.

Që nga fillimi i konfliktit, militantët me bazë në Gazë kanë lëshuar pandërprerje breshëri raketash ndaj Izraelit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se rreth 1.4 milionë nga 2.3 milionë banorët e Gazës janë zhvendosur tashmë brenda vendit dhe pothuajse 600 mijë ndodhen në strehimoret e OKB-së.

Që kur Izraeli izoloi territorin pas sulmit të 7 tetorit, banorët e Gazës janë përballuar me mungesa të mëdha në ushqime, ujë dhe ilaçe. Izraeli thotë se objektiv i operacioneve të tij është shkatërrimi i plotë i grupit militant.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se që nga fillimi i konfliktit më shumë se 6,500 palestinezë janë vrarë. Shifra përfshin edhe numrin e diskutueshëm të viktimave të shpërthimit në një spital të qytetit, javën e kaluar.

Sipas qeverisë izraelite në luftime janë vrarë më shumë se 1,400 persona në Izrael, kryesisht civilë, që u vranë ditën e parë të sulmit të Hamasit. Grupi militant njoftohet se mori po atë ditë peng 222 persona, katër prej të cilëve tashmë janë lënë të lirë.