Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: BE-ja dhe SHBA-ja të formojnë një Gjykatë Speciale, sulmin në Banjskë e organizoi ministri serb i Mbrojtjes


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i NoviSadit, me në krye ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç.

Kurti u shpreh se Vuçeviç është miku më i afërt i vëllait të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiç.

Ai u shpreh se grupi terrorist serb në arrati po fshihet në Rashkë, ndërsa shtoi se Vuçiç, si “një capo-di-tutti-capi”, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Gjithashtu ai kërkoi që BE dhe SHBA të formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit.

Postimi i plotë:

Klani i Novi Sadit

Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.