Vendosni fjalën kyçe....

Pesë diplomatë perëndimorë vizitojnë Kosovën dhe Serbinë


Pesë diplomatë të Perëndimit nisin më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.

Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, shefi i Qeverisë në Kosovë, Albin Kurti, do t’i presë diplomatët në orën 10:00.

Autoritetet në Beograd kanë thënë se takimet në kryeqytetin serb do të nisin në orën 14:00.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.