Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se pagoi 29-vjeçarin për t’i vënë flakën tarracës së një lokali, shpallet në kërkim i riu


Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 24-vjeçar, i cili kishte paguar një person për t’i vënë flakën një lokali në Kryeqytet.

Policia bën me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në një lokal në rrugën “Gjin Bue Shpata”, kishte rënë zjarr, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fire”.

Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi K. B., 29 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasi K. B., më datë 12.10.2023, ka hedhur lëndë djegëse në tarracën e një lokali në rrugën “Gjin Bue Shpata”, dhe si pasojë janë djegur panelet diellore dhe disa pajisje të lokalit. Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ky shtetas është paguar nga shtetasi R. B., me shumën 20 000 lekë të rinj, për kryerjen e këtij krimi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat autori i zjarrvënies, ka patur veshur gjatë kryerjes së krimit, si dhe disa targa automjetesh të shtetësive të ndryshme, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së tij.

Punohet për kapjen e shtetasit R. B., si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.