Vendosni fjalën kyçe....

Ndeshja ndaj Çekisë, Balla paralajmëron masa të ashpra: S’do tolerohet asnjë rast dhune


Ministri i Brendshëm Balla ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj personave që përpiqen të falsifikojnë biletat apo të shkaktojnë trazira në ndeshjen e sotme ndaj Çekisë në ‘Air Albania’.

Në një takim me strukturat e policisë, ai tha se janë marrë masa për të mos lejuar hyrjen  në stadium të tifozëve problematikë ndërsa theksoi se aktet e dhunës nuk do tolerohen.

Balla shtoi se për të garantuar sigurinë në ndeshjen e sotme janë caktuar një numër mjaft i lartë efektivësh që do jenë në dispozicion.

“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria. Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive. Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve. Do të kemi një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë publike.” – tha Balla.