Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 2400 të vdekur nga tërmetet në Afganistan


Tërmetet e fuqishme shkaktuan mbi 2000 viktima në Afganistan, tha të dielën një zëdhënës i qeverisë talebane. Ishin disa nga tërmetet më vdekjeprurëse që kanë goditur vendin në dy dekada.

Shifrat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, por nëse janë të sakta, bilanci do të eklipsonte shkatërrimet e një tërmeti që goditi Afganistanin lindor në qershor të vitit 2022, duke goditur një rajon të thyer malor dhe rrafshuar shtëpitë prej guri, tullash dhe balte dhe duke vrarë të paktën 1000 njerëz.

Tërmeti i së shtunës me magnitudë 6.3 goditi një zonë me popullsi të dendur pranë qytetit të katërt më të madh të Afganistanit, Heratit. Tërmeti u pasua nga pasgoditje të forta.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit ishte rreth 40 kilometra në veriperëndim të qytetit të Heratit. Tërmeti u pasua nga tre pasgoditje shumë të forta, me magnitudë 6.3, 5.9 dhe 5.5, si dhe goditje më të vogla.

Të dielën, njerëzit përdorën mjete rrethanore për të nxjerrë nga rrënojat të vdekurit dhe të plagosurit në Herat, duke u kapur mbi shkëmbinj dhe mbeturina, përcjell VOA.

Një video e shpërndarë në internet, tregon njerëzit që përpiqen të nxjerrin nga rrënojat një vajzë të vogël, e cila ishte mbuluar deri në qafë nga rrënojat e ndërtesës së shembur. Në video shihet një dorë mbi trupin foshnjës ndërsa e nxjerrin vogëlushen nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit thanë se ishte nëna e foshnjës. Nuk është e qartë nëse nëna ka mbijetuar. Njoftimet flasin për rreth 245 të vdekur dhe mbi 9240 të plagosur.