Vendosni fjalën kyçe....

Debate te ‘Siguria’, opozita kërkon Ballën, Salianji: Grupet kriminale po kërcënojnë prokurorët e SPAK-ut


Dëshmia e të penduarit Artan Tafani, se banda e Laert Haxhiut po planifikonte vrasjen dy prokurorëve dhe një avokati, u bë shkak për debate të forta politike në Komisionin e sigurisë në Parlament.

Megithëse kjo çështje nuk ishte në rendin e ditës së komisionit, deputetët e opozitës kërkuan që Ministri i Brendshëm, drejtori i policisë dhe shefja e SHISH, të thirren për të raportuar në komision.

“Grupet kriminale po kërcënojnë prokurorë të spak. Po rrezikojnë jetën e tyre. Po mbikqyrin prokurorët. I zbuloi një i penduar.  Është në detyrën tuaj që të vijë ministri i brendshëm.”- tha Salianji,

“Mendoj se duhet të vijë Ministri të raportojë këtu për situatën”- tha Dogjani.

Kërkesat e deputetëve të opozitës, morën përgjigje nga mazhoranca, përmes deputetit Xhemal Qefalia që tha se një pjesë e anëtarëve të Komisionit të sigurisë, nuk kanë certifikata sigurie madje hezitojnë ti kërkojnë.

“Po bëni protagonizëm, nëse doni të bëni deklarata ne nuk do ta bëjmë këtë. Nëse doni ti thërrasim për një raportim real, për gjendjen e kriminalitetit etj, e bëjmë por me dyer të mbyllura por duhet të pajiseni me certifikata sigurie të cilat një pjesë e juaja nuk i kanë. Di që një pjesë e juaja heziton ti kërkojë!”- tha Xhemal Qefalia.