Vendosni fjalën kyçe....

Punësimi i personave me aftësi ndryshe detyrim ligjor, Ministria e Financave takim me përfaqësues të Pro-Eksport Albania 


 

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë Olta Manjani priti në një takim përfaqësues të shoqatës “Pro-Eksport Albania” të cilët kërkojnë shtyrjen në kohë të zbatimit të tij për integrimin e personave me aftësi të kufizuara.

Më tej ata kërkuan ngritjen e një grupi teknik të përbashkët që të rishikojë ligjin për integrimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Ka praktika të ndryshme ndërkombëtare që kanë rezultuar efektive për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) dhe ato kanë sjellë qëndrueshmëri” tha Manjani duke i kujtuar se është detyrim ligjor punësimi i tyre.

“Në vendin tonë, detyrimi i punësimit nga subjektet private apo publike ka lindur që me ligjin e vitit 1995 ‘Për nxitjen e punësimit’, ku përcaktohej kriteri 1 në 25 punonjës. Sot, përmes ndryshimeve ligjore, të cilat  bëhen efektive në 1 janar 2024, kriteri është 1 në 25 punonjësit e parë dhe 1 PAK pas çdo 50 të punësuarve”

Gjithashtu zv ministrja u shpreh rreth nismës që ka marrë Ministria për krijimin e Fondit Social të Punësimit që parashikon përfitime dhe subvencione për punëdhënësit dhe kontributi i dhënë do t’iu kthehet nëpërmjet programeve, që të kenë mundësi të plotësojnë këto kuota. 

Programet synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuar, programe riintegrimi social, etj. Në total janë 9,000 persona me aftësi të kufizuara që pritet të punësohen, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat.

Po kështu qeveria i kujtoi shoqatës nismat e qeverisë për të reduktuar efektet e luhatjeve të kursit të këmbimit, si shtyrja në kohë e pagesave të kësteve të tatimit mbi fitimin për pjesën e mbetur të vitit 2023, rimbursimi më i shpejtë i TVSH-së apo subvencionimi i pagës minimale.

“Në përfundim të takimit, palët ranë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin, të adresojnë nevojat përmes tryezave teknike, si dhe të vihen në zbatim mekanizmat e Fondit Social të Punësimit” informoi sot zyra e shtypit e Ministrisë së Financave.