Vendosni fjalën kyçe....

Procesi i Berlinit, zhvillohet sot Forumi i Ministrave të Ekonomisë


Në kuadër të procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizon sot në Tiranë, Forumin e Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal, një hap drejt Tregut Unik të BE”

Forumi do të hapi punimet në orën 09:00. Fjalën hapëse pritet ta mbajnë Kryeministri Edi Rama, Ines Muçostepa, Presidente e Unionit të Dhomave të Tregtisë në Shqipëri dhe Olivier Becht, Ministër i tregtisë me jashtë dhe ekonomisë në Francë. Punimet, sipas axhendës së publikuar janë të ndara në disa panele, dhe pritet të përfundojë në orën 18:30.

Forumi do të mbledhë së bashku ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë të Procesit të Berlinit, me fokus avancimin e tregut të përbashkët rajonal, për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.

Ky forum pritet të reflektojë mbi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e këtij plani dhe avancimin e agjendës së integrimit rajonal nëpërmjet mbështetjes në kuadër të Procesit të Berlinit, si një instrument shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian. Në këtë takim, do të diskutohet mbi lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave, integrimin e tregjeve, rritjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin e sistemeve të pagesave të rajonit dhe përgatitjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë.

Diskutimet do të përqendrohen edhe në integrimin e përshpejtuar dhe qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së. Në këtë kuadër, do të diskutohet edhe lidhur me sfidat kryesore për përmirësimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, në mënyrë që të përcaktohet orientimi politik dhe hapat konkretë, në kuadër të Procesit të Berlinit, sa i takon mbështetjes për qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së nga ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ky forum synon të paraqesë arritjet kryesore dhe hapat drejt integrimit në BE, si dhe të theksojë nevojat dhe rekomandimet nga komuniteti i biznesit të Ballkanit Perëndimor për të shfrytëzuar plotësisht potencialet e rritjes së rajonit. Forumi bashkëorganizohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF), së bashku me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Ai u prezantua në 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces si, Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.