Vendosni fjalën kyçe....

KESH tjetër blerje energjie për fundin e shtatorit, ankandi 6.1 milionë euro


Energjia për javën e fundit të shtatorit dhe datën 1 tetor i kushtoi Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare 6.1 milionë euro në ankandin e fundit.

Rezultatet e bëra publike nga KESH tregojnë se u sigurua një sasi prej 56 130 MWh të ndara në tre lote teksa më herët në njoftimin për blerjen e energjisë u kërkuan 63 mijë MWh.

Për lotin e parë KESH siguroi 38 976 MËh energji me një çmim mestar të ponderuar prej 114.29 euro/MWh me një total prej 4.45 milionë euro.

Dy lotet e tjera përkatësisht 5754 MWh dhe 11400 MWh kishin një çmim mestar të ponderuar prej 110.89 dhe 94.44 euro. Kjo është blerja e dytë e shtatorit teksa vetëm një javë më parë Korporata bleu edhe 4.1 milionë euro energji në tregun e lirë për të siguruar furnizimin në vend.

Procedurat e fundit të zhvilluara nga KESH sa i takonin blerjes së energjisë më herët i përkisnin fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit kur u paguan edhe 4 milionë euro të tjera.

Nga fillimi i vitit e deri më tani blerjet e energjisë kanë qenë të pakta në raport me një vit më parë dhe fondi i shpenzuar llogaritet  në afërsisht 35 milionë euro.

Ndërkohë situata e favorshme hidrike dhe optimizimi i kaskadës duke alternuar blerjet në periudha të caktuara nga tregu i lirë kanë bërë që KESH të ketë më shumë eksporte energjie që edhe pse në vlerë modeste mbeten më të larta sesa importet, në rreth 36 milionë euro deri në fund të qershorit.

Nisja e importeve tregon për një përpjekje për të ruajtur kaskadën e Drinit ku shirat e vjeshtës ende nuk kanë nisur për të dhënë ndikim. Kjo e fundit gjatë këtij viti ka shfaqur tregues më të mirë hidrikë duke qëndruar mbi mesataren historike edhe si një formë për të dhënë siguri energjetike në vend nxitur nga kriza e energjisë që edhe pse ka zbehur efektet gjatë këtij viti sërish mbetet prezente.

Çmimet në bursa po shfaqen dukshëm më të favorshëm se në 2022 por nisja e të ftohtit në Europë dhe rritja e kërkesës për gaz parashikohet të japin efektin e tyre me një rritje në këto çmime.

Kjo lidhet edhe me faktin që pasiguritë gjeopolitike dhe mbetja aktive e konfliktit Rusi -Ukrainë i bëjnë tregjet e pasigurt sidomos atë të energjisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor