Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në fabrikën e bojërave Deutsch Color u shua orët e para të mëngjesit! Roja e sigurisë: Nisi nga brenda ambienteve


Zjarri është shuar përfundimisht në orët e para të mëngjesit të Deutsch Color në Maninas.

Objekti është ftohur çka e lejon grupin hetimor të nisë nga puna për zbardhjen e shkakut të zjarrit.

Hetimet i drejton prokuroria e Durrësit. Është Flora Reka, prokurore e cila është në krye të hetimit të çështjes.

Grupi hetimor përmban specialistë të luftës kundër zjarreve, ekspertë policie të luftës kundër krimeve, specialistë zjarrfikës etj.

Puna sapo ka nisur. Do të duhet kohë për të dalë në konkluzione bëjnë të ditur pjesëtarë të grupit hetimor.

Shkaqet mund të jenë disa. Sipas rojes që ka konstatuar i pari zjarrin rezulton se ai ka ardhur nga brenda. Por nuk përjashtohet edhe ndonjë shkak i jashtëm.

Përgjatë orëve të natës, kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ka dhënë detaje mbi zjarrin që ka rënë në fabrikën e bojërave Deutsch Color në autostradën Tiranë Durrës. Çako tha se zjarri ka marrë këto përmasa për shkak të lëndëve kimike.

“Ka rreth katër orë që luftohet me një zjarr masiv të rënë në fabrikën e prodhimit të bojërave DC. Janë aktivizuar zjarrfikëse nga të gjitha bashkitë e prefekturës së Tiranës. Është një zjarr i cili ka marrë përmasa edhe për shkak të lëndëve kimike apo produkteve në prodhim. Është vënë nën kontroll dhe zjarri vazhdon.”

Ndërkohë vet pronari Luan Muça, sot në mëngjes ka deklaruar për policinë se volumin më të madh të punës e kishte me klientë të mëdhenj jashtë vendit dhe mosrespektimi i kontratave me ta për shkak të zjarrit është dëmi më i madh i shkaktuar.