Vendosni fjalën kyçe....

Grupet e Berishës e Bardhit zhvendosen në Kukës, takim pak ditë para zgjedhjeve për bashkinë


Grupet e depuptetëve që mbështesin Sali Berishën e Gazment Bardhin do mbajnë sot takimin e dytë pas atij të para pak ditëve.

Kësaj here ata do mblidhen në Kukës ku këtë të dielë mbahen zgjedhjet për kreun e kësaj bashkie. Takimi është parashikuar të nisë rreth orës 12:00.

Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për zgjedhjet lokale është përzgjedhur pas primareve Emri Vata.

Kreu i PD-së Basha ka bërë disa thirrje për caktimin e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet në Kukës, duke propozuar emrin e kreut të degës Arif Rexhmati.

Por Berisha në të gjitha deklaratat për shtyp e ka hedhur poshtë bashkëpunimin me Bashën e Alibeajn të cilët i cilëson si ‘ushtarët’ e Edi Ramës.

Ndërkohë Gazment Bardhi ka qenë në kurs përplasjeje me Bashën që kur ky i fundit rikandidoi e u rizgjodh në krye të PD-së më 29 korrik.

Ai  ka deklaruar se Basha nuk është personi i duhur për të bashkuar demokratët duke mos i njohur zgjedhjet e 29 korrikut për zgjedhjen e Bashës.

Kreu i PD-së e ka shkarkuar Bardhin nga funksionet e sekretarit të partisë e nga kreu i grupit parlamentar ndërkohë që Bardhi nuk ka njohur asnjë nga vendimet duke thënë se Basha nuk ka as firmën, as vulën e as shumicën e deputetëve të grupit parlamentar.