Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni për takimin Putin-Kim Jong-un: Do negociojnë për armë


Sipas Pentagonit, takimi midis presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të përqendrohet në diskutimet për armët.

“Ne e dimë se një takim do të zhvillohet. Dhe mirëkuptimi ynë është se ky do të fokusohet në negociatat e armëve”, tha në një konferencë për media Pat Ryder, zëdhënës i Pentagonit.

Ryder përsëriti thirrjen e SHBA-së për Korenë e Veriut që t’i përmbahet angazhimit të saj publik të deklaruar më parë për të mos i siguruar armë Rusisë.

Më herët, zyrtarët rusë konfirmuan mbërritjen e liderit të Koresë së Veriut për një samit të rrallë me presidentin rus.

“Unë e konfirmoj, është e vërtetë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë e lajmeve ‘Interfax’.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se Kim mbërriti në qytetin kufitar rus Khasan dhe ishte rrugës për në qytetin Ussuriysk të Lindjes së Largët.

Sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut, Kim, i cili për herë të fundit vizitoi Rusinë në vitin 2019, u largua nga kryeqyteti Phenian në bordin e një treni special të dielën vonë së bashku me personelin qeveritar dhe ushtarak.

Besohet se ai është i pranishëm në Forumin Ekonomik Lindor 2023, i cili po zhvillohet në Vladivostok që përfundon nesër. Në këtë forum i pranishëm është edhe presidenti Putin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Jeon Ha-kyou, tha se Seuli po monitoronte nga afër vizitën dhe bisedimet e mundshme midis dy vendeve për një tregti armësh.

Në fillim të këtij muaji, Pentagoni i kërkoi Koresë së Veriut të përmbahet nga shitja e municioneve dhe armëve në Rusi. Washingtoni tha se Pheniani do të “paguajë një çmim” nëse arrin një marrëveshje armësh me Moskën.