Vendosni fjalën kyçe....

Kompanitë e ndërtimit e rrisin fondin e pagave më pak se inflacioni në 3-mujorin e dytë


Bizneset e ndërtimit e në sektorin e banesave rezidenciale e rritën fondin e pagave për punonjësit me vetëm 4.6% në 6-mujorin e parë të vitit 2023, teksa në të njëjtën periudhë, inflacioni mesatar ishte 5.6%.

Nëse bizneset kanë mbajtur të njëjtin numër punonjësish si vitin e kaluar, atëherë pagat reale në sektorin rezidencial kanë shënuar rënie në gjysmën e parë të këtij viti.

Indeksi i kushtimit në ndërtim tregoi se bizneset rritën shpenzimet për fondin e pagave në një mesatare 4.6% në 6-mujor, por nga ana tjetër, inflacioni ka ecur më shpejt.

Sektori i ndërtimit është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundi nga rritja e numrit të lejeve për banesa në kryeqytet dhe objekteve në zonat turistike. Çmimet e banesave ishin në rritje të fortë vitet fundit, teksa kostot janë në zbutje.

Edhe pse bilancet e kompanive janë përmirësuar për shkak të rritjes së çmimeve më shumë se kostot, pagat në ndërtim janë rritur me ritme më të ulëta se në sektorë të tjerë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në tremujorin e tretë 2022 rezulton me rritje vjetore 17.6%, ndërkohë që rritja mesatare e historike e këtij treguesi nga 2002 deri në tremujorin e dytë 2022 rezulton në nivelin 5.7%.

Ndryshimi vjetor i indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2023 është 4,7%, një vit më parë ky ndryshim ishte 6,2%. Rënia e kostove vijoi për të katërtin tremujor radhazi.

Edhe gjatë vitit të kaluar sektori i ndërtimit ishte promotori kryesor i rritjes ekonomike, por kontributi i tij në punësim shënoi rënie në të njëjtën periudhë.

Të dhënat e INSTAT referojnë se sektori i ndërtimit u rrit me 20.6% gjatë vitit të kaluar, por kontributi në punësimin total ishte 7.6%, nga 8.1% që ishte në vitin 2022.

Pjesa e madhe e proceseve të punës në sektor janë të bazuara në krahun e punës, por zgjerimi i sektorit nuk ka ndikuar as në punësimin dhe as në të ardhurat buxhetore.

Sektori prej vitesh vuan për punonjës dhe po tenton të mbulojë nevojat me të huaj. Ekspertet të tregut të punës mendojnë se, punësimi në sektorin e ndërtimit karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti.

Studimet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerësojnë se ndërtimi është sektori me informalitetin më të lartë nga sektorët jobujqësorë me rreth 60%.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor