Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Behar Bajrit, SPAK kërkesë Ministrisë së Drejtësisë: Të nisin procedurat për ekstradimin nga Franca


Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar këtë të enjte Ministrisë së Drejtësisë që të nis procedurat për ekstradimin e Behar Bajrit nga Franca, i arrestuar të hënën (4 shtator) në një lokal në Strasburg pasi ishte shpallur në kërkim në muajin korrik për llogari të dosjes “Metamorfoza”.

Report Tv mëson se SPAK i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë të gjithë praktikën në lidhje me dosjen, në të cilën përfshihen provat konkrete kundër Bajrit dhe veprat penale për të cilat ai akuzohet. Bashkëngjitur është edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme i arrestit me burg në mungesë për Bajrin.

Ministria, e cila ka për kompetencë të lidh kontaktet përmes letërporosisë me autoritetet franceze ka 40 ditë kohë për të përkthyer dhe kopsitur materialin që më pas të niset drejt Parisit, afat që nis me ditën e arrestimit. Behar Bajri, i cili ka kërkuar azil në Francë që prej vitit 2021 pritet të përdorë çdo praktikë ligjore që përfshinë të drejtat e njeriut për të kundërshtuar ekstradimin e tij drejt Tiranës dhe përballje me drejtësinë për dosjen “Metamorfoza”. Megjithatë, do të jenë gjykatat atje që do të japin fjalën e fundit, proces që mund të zgjas deri në disa muaj deri në vendimin e fundit të të gjitha shkallëve.

Me këtë rast, autoritetet shqiptare janë optimiste për ekstradim pasi vetë Franca disa muaj më parë, bashkë me Blegjikën, i vunë në dispozicion SPAK biseda të Bajrit dhe 15 personave të tjerë në hetim, biseda të dekoduara në aplikacionin SkyECC, në të cilat tregohen qartë përgatitjet për vrasjen e Gjin Boriçit në Vau Dejës dhe tentativave për vrasje të Kleanth Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit apo Ibrahim Licit.

Në dosjen voluminoze janë të përfshirë edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita. Behar Bajri u arrestua të hënën në ambientet e një lokali, i vetëm. Ai nuk bëri rezistencë dhe iu dorëzua pa kushte policisë franceze, e cila ishte njoftuar nga autoritetet shqiptare për lokalizimin.