Vendosni fjalën kyçe....

Punësimi në sektorin bankar arrin nivelin më të lartë në gjashtë vjet


Punësimi në sektorin bankar shqiptar po rritet dhe ka arritur nivelin më të lartë në gjashtë vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti sektori bankar punësonte 6869 persona, në rritje me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse numri i bankave aktive në treg ra më tej në fund të vitit të kaluar, pas bashkimit mes OTP Albania dhe Alpha Bank Albania, punësimi në sektor ka vazhduar të rritet.

Zgjerimi i punësimit, së bashku me presionet e tregut për rritjen e pagave, sollën edhe një shtim të mëtejshëm të shpenzimeve për personelin. Sipas të dhënave paralele të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2023 shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në 7.36 miliardë lekë, në rritje me 14.4% krahasuar me një vit më parë.

Megjithëse sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonominë shqiptare, presionet për rritjen e pagave po bëhen të dukshme edhe në këtë treg, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione dhe i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat.

Shifrat tregojnë se punësimi në sektorin bankar është i orientuar drejt rritjes për të katërtin vit radhazi, pasi kaloi një periudhë disavjeçare në tkurrje, kryesisht të lidhur me procesin e konsolidimit dhe uljen e numrit të bankave në treg.

Në vitin 2016 punësimi në sektorin bankar pati arritur nivelin më të lartë historik, me pothuajse 7 mijë të punësuar. Procesi i përqendrimit të sektorit bankar, pas vitit 2018, solli dublim të pozicioneve administrative, por edhe të degëve në zona të veçanta, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtim të vendeve të punës. Pjesërisht, punësimi u ndikua negativisht edhe nga frenimi i strategjisë së zgjerimit të rrjetit të degëve dhe fokusit të shtuar drejt automatizimit të shërbimeve.

Numri i degëve të sektorit bankar ra më tej në gjysmën e parë të këtij viti dhe preku shifrën më të ulët të 16 viteve të fundit. Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se numri i degëve zbriti në 383, nga 396 që ishin në fund të vitit 2022 dhe 418 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por, pavarësisht tendencës për të ulur numrin e degëve fizike, me sa duket punësimi në sektorin bankar është mbështetur nga ecuria pozitive e biznesit dhe nga zgjerimi i shërbimeve të bankingut në distancë. Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor