Vendosni fjalën kyçe....

Çështja ‘Beleri’/ Xhaçka i përgjigjet ministrit të Jashtëm grek: Nuk duhet të niseni nga ligji grek, por nga ligji shqiptar


Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka i është përgjigjur homologut të saj grek, Giorgos Gerapetritis i cili tha sot se mbajtja e Fredi Belerit në burg nuk është çështje e gjykatës por e politikës.

Xhaçka në reagimin e saj duket se është e prerë përsa i përket çështjes ‘Beleri’ shumë të debatuar mes Tiranës dhe Athinës, ku thotë se organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre por njëkohësisht edhe qeveria shqiptare.

Xhaçka thekson se çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë.

‘Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare!

Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu:Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke.

Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar.

Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak.

Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu.’- nënvizon Xhaçka.