Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria talebane ndalon gratë të vizitojnë parkun kombëtar për mosrespektim të rregullave të hixhabit


Qeveria talebane i ka ndaluar gratë të vizitojnë parkun kombëtar Band-e-Amir në provincën Bamiyan.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të virtytit dhe vesit të Afganistanit, Mohammad Khaled Hanafi, tha se gratë nuk kishin respektuar hixhabin brenda parkut.

Ai u bëri thirrje klerikëve fetarë dhe agjencive të sigurisë që t’i ndalojnë gratë të hyjnë deri sa të gjendet një zgjidhje.

Band-e-Amir është një atraksion i rëndësishëm turistik, duke u bërë parku i parë kombëtar i Afganistanit në 2009.

Është një destinacion popullor për familjet dhe ndalimi i frekuentimit të grave do të pengojë që shumë njerëz të jenë në gjendje të shijojnë parkun.

UNESCO e përshkruan parkun si një “grup liqenesh të krijuar natyrshëm me formacione dhe strukturë të veçantë gjeologjike, si dhe me bukuri natyrore dhe unike”.

Megjithatë, Hanafi tha se të shkosh në park për të vizituar ndonjë gjë “nuk ishte e detyrueshme”, raportoi agjencia afgane Tolo News.

Klerikët fetarë në Bamiyan thanë se gratë që po vizitonin parkun dhe nuk ndiqnin rregullat ishin vizitore të zonës.

“Ka ankesa për mungesë hixhabi ose hixhab të keq, këta nuk janë banorë të Bamiyan. Ata vijnë këtu nga vende të tjera,” tha Sayed Nasrullah Waezi, kreu i Këshillit të Ulema Shia të Bamiyan për Tolo news.