Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata kërkon ndërprerjen para kohe të koncesionit të sterilizimit e hetim pasuror për zyrtarët e arrestuar


Gjykata e Posaçme ka kërkuar ndërprerjen para kohe të koncesionit të sterilizimit, për shkak të problematikave e shkeljeve të gjetura nga SPAK.

Lidhur me hetimet që po kryhen nga prokuroria për koncesionin 100 milionë eurosh, janë në burg ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj e biznesmeni Ilir Rrapaj.

Një kopje e vendimit të gjyqtarit të çështjes Erion Bani i është dërguar më 26 qershor 2023 Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.

Gjykata i kërkon ILDKP-së ‘marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare datë 2 dhjetor 2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndëtësisë, përfaqësuar nga Ministri Ilir Beqaj dhe shoqërisë “SaniService” sh.p.k. të përfaqësuar nga administrator Admir Daca. Ky i fundit, rezulton administrator i kompanisë fituese të koncesionit, e cila është një bashkim kompanish, konkretisht: “Investital LLC”, me pronar Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%.

Pas hetimeve të nisura në 1 janar 2020, SPAK pretendon se ka gjetur shkelje që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës e falsfikimin e dokumenteve nga zyrtarëte ministrisë, ku përfshihen, ish-zv.ministri Rjepaj, drejtori ekonomik Saimir Kadiu e drejtoresha juridike Marsela Serjanaj.

Të njëjtat akuza janë ngritur nga SPAK për mjekun Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë, anëtarët e komisionit, Naile Ajazi, Genc Byrazeri e Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për të gjithë këta zyrtarë, gjykata shprehet në vendim se duhet të zhvillohet një hetim pasuror për të parë nëse kanë pasur përfitime nga veprat penale që kanë kryer.

Biznesmeni Ilir Rrapaj nga ana tjetër akuzohet nga SPAK për mashtrim pasi ka plotësuar formularin e konfliktit të interesit me të dhëna të rreme duke shënuar se nuk kishte njohje e miqësi me asnjë nga zyrtarët vendimarres në një kohë që rezulton shok fakulteti me zv.ministrin Klodian Rrjepaj çka përbënte shkak për përjashtimin e kompanisë së tij nga koncesioni.