Vendosni fjalën kyçe....

Berisha e hodhi poshtë, PD-ja e Kukësit tjetër thirrje për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhet e 24 shtatorit


PD-ja e Kukësit i ka bërë një tjetër thirrje për bashkëpunim kreut të Rithemelimit Berisha për zgjedhjet lokale të 24 shtatorit pasi ky i fundit mohoi sot diçka të tillë.

Përmes një njoftimi zyrtar, dega e PD-së në qytetin verior bën thirrje për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhje duk theksuar se demokratët kanë humbur shumë nga fryma e konfliktit e përçarja.

Po kështu në njoftim nënvizohet se fitorja e PD-së në zgjedhje është e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve. Më herët Berisha e hodhi poshtë një aleancë me PD-në e Bashës.

“Partia Demokratike Dega Kukës rikonfirmon para të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj apelin për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar. Demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.

Ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve. Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve. Partia Demokratike, Dega Kukës.” – shkruhet një njoftimin e PD-së së Kukësit.