Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i përgjigjet Ramës: S’ke asgjë në dorë për të ndalur drejtësinë, po përpiqesh të mbrosh hajdutin e certifikuar Ilir Beqja


Deputeti i PD-së Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Rama, pasi ky i fundit lavdëroi SPAK-un e GJKKO-në lidhur me arrestimet e fundit për koncesionin e sterilizimit, duke thënë drejtësia e re është një premtim i mbajtur i qeverisë së tij dhe se nuk do e pengojë atë.

Bardhi shkruan se po të ishte për kryeministrin Rama, në krye të SPAK do ishte një ushtar i tij dhe se ndërhyrja e SHBA-së mbajti larg duart e tij nga drejtimi i prokurorisë special.

 Ai shton më tej se po të ishte në dorë të Ramës të gjithë prokurorët e gjykatësit do emëroheshin prej tij dhe koncesioni i sterilizimit do vijonte i qetë të zhvaste lekët e qytetarëve.

“Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot në drejtimin e SPAK do ishte një ushtar i tij, që siç provoi GJKKO kërkoi burg për ish-zëvendësministrin por jo për ish-ministrin hajdut, mik të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e SHBA që mbajti larg duart e qeverisë nga drejtimi i SPAK. Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, do të emëroheshin në detyrë pas certifikimit nga DSIK, institucion në varësi të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e SHBA që i dha të drejtë opozitës dhe e konsiderojë të papranueshme një parashikim të tillë. Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot koncesioni i sterilizimit do të vazhdonte qetësisht të zhvaste paratë e qytetarëve shqipëtarë dhe Edi Rama do shëtiste studio më studio me setin e bisturive në dorë për ti bërë reklamë hajdutërisë. Ishte dhe është investimi i partnerëve ndërkombëtar drejtësia që i jep fund pandëshkueshmërisë.” – shkruan Bardhi.

Deputeti i PD-së shton se Rama për të mbrojtur Ilir Beqajn e ka caktuar atë drejtor të fondeve publike edhe pse sipas demokratit është hajdut i certifikuar.

Bardhi thekson se kryeministri nuk ka asgjë në dorë për të ndalur drejtësinë ndërsa e vetmja gjë që bën ai është zhvatja e qytetarëve në afera miliona eurosh.

“Për Edi Ramën dhe PS, Ilir Beqaj i certifikuar në hajdutëri është emëruar drejtor i fondeve publike, si manovër për ti dhënë atij mbrojtje politike ndaj hetimeve të drejtësisë. Edhe pse nën hetim për një dëm miliona euro, Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë, me shpresën se do ta shpëtojë nga drejtësia. Për Edi Ramën dhe PS, Arben Ahmetaj pasi certifikohet si hajdut i parave publike në pozicionin e ministrit, promovohet duke u bërë Zëvendëskryeministër. Të ishte për Edi Ramën dhe PS, edhe sot do vijohej qetësisht me pagesat për mafiozët e inceneratorëve, për vepra që nuk ekzistojnë. Edi Rama nuk ka asgjë në dorë për të ndalur drejtësinë! Nëse do të kishte askush prej miqve të tij nuk do ishte në burg. Atë që ka në dorë Edi Rama po e bën çdo ditë: po zhvat qytetarët me afera miliona euro, duke i varfëruar çdo ditë e më shumë dhe duke i dhënë Shqipërisë qeverinë më të korruptuar në 100 vite.” – mbyll shënimin Bardhi.