Vendosni fjalën kyçe....

Anija tregtare niset nga Odesa pavarësisht frikës së sulmit nga Rusia


Një anije tregtare është larguar nga porti ukrainas i Odesës, pavarësisht shqetësimeve që Rusia mund të sulmojë anijet në Detin e Zi.

Anija Joseph Schulte me flamur të Hong Kongut ishte bllokuar në port që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Në një postim në Facebook, ministri i infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, shkroi se anija është nisur përgjatë korridorit të përkohshëm të krijuar për anijet civile për portet detare ukrainase të Deti i Zi në drejtim të Bosforit. Ai tha se anija mban një ngarkesë prej 30 mijë tonësh duke përfshirë edhe produkte ushqimore.

Kievi ka shpallur një “korridor humanitar” në Detin e Zi pasi një marrëveshje u rrëzua muajin e kaluar, e cila e kishte lejuar atë të eksportonte grurë, sipas BBC.

Por Moska nuk ka thënë nëse do ta respektojë korridorin.

Anija u largua ndërsa Kievi tha se sulmet ajrore ruse dëmtuan objektet e depozitimit të grurit në Reni, një port lumor në lumin Danub, rreth 260 km (160 milje) në jug-perëndim të Odesës.

Muajin e kaluar Rusia u tërhoq nga një marrëveshje që garantonte kalim të sigurt për eksportet përmes Detit të Zi dhe tha se çdo anije që shkonte drejt porteve të Ukrainës mund të konsiderohet një objektiv ushtarak.

Në fillim të kësaj jave, ajo qëlloi të shtëna paralajmëruese në një anije që udhëtonte drejt Ukrainës.

Ukraina është një eksportues kryesor i drithërave dhe farave vajore, dhe bllokada ka kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në nivel global.