Vendosni fjalën kyçe....

E vërteta e djegësave dhe shteti nën këmbët e Zotos dhe Mërtirit


Nga Irena Beqiraj

 Këtë verë, ndryshe prej sjelljes time të zakonëshme, braktisa Cvajkun, Drajzerin e poezitë e shumta nëpër të cilat më pëlqen të “notoj”, për të lexuar dosjet voluminoze të djegësave. Një histori që gëloi korridoreve ku eca  gjatë një periudhe interesante , të vështirë por përcaktuese të karrierës time.

Cila është e vërteta që fshihet brenda tyre?

A është e vërtetë siç “nënvizohet” jo pa qëllim nga disa gazetarë e politikanë se ministri i financave e ka kundështuar plot pesë herë projektin e djegësit të Tiranës?

Po më pas, pra pasi “kundërshtoi plot pesë herë, çfarë ndodhi që as një vit më vonë ky ministër “fytyrëngrysur” çeli si ylberi pas shiut dhe pranoi që projekti i Tiranës të financohej nga buxheti i shtetit, ndërkohë  që vetëm një vit me parë kishte këmbëngulur me 5 letrat e tij që të mos prekej buxheti i qeverisë qëndrore?

Përse Zoto e Mërtiri ishin aq të zellshëm e dorëlëshuar të paguanin biletat dhe hotelet e kripura, pllakat  edhe mishelatorët  e banjove, të ministrit  “kundështues e  mbrojtësit të të mirës publike” sic reket ai ta përshkruajë akoma veten ?

Si ka mundësi që në cdo transaksion shitblerjeje të kryer nga familjarët e “ministrit kundështues”, fondet vinin nga persona të lidhur direkt ose indirekt me djegësat ose edhe me tendera të tjerë ku përfshiheshin  të kudogjendurit Zoto e Mërtiri?

Po pse miratimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës u konsiderua i vlefshëm për gjithë qarkun e Tiranës, kur ligji thotë të kundërtën?

Si ka mundësi që Alqi Blako numri dy i Ministrisë së Mjedisit,  pjesë e trupës së lartë të drejtimit të administratës publike, përtej përfitimeve monetare, nga vendi modest që kishte tek stenda e LSI-së u katapultua në listën fituese të Tiranës për partinë Socialiste, duke lënë “mbrapa liste” edhe kryetaren e forumit të gruas ? Kujt në partinë socialiste i hyri kaq shumë në zemër ky djalë me “performancën” e tij ?

A është kjo aferë  thjesht keqpërdorim i pushtetit publik nga politikanët e zgjedhur apo nëpunësit civil të emëruar për përfitime private , apo mund të quhet “grabitje e madhe” ku disa persona me anë të mashtrimit  transferuan (sipas dosjes) rreth 30 milionë euro në përfitim të tyre apo personave të tretë, nga 60 milionë euro te paguara nga buxheti qëndror e vendor vetëm për djegësin e Tiranës?

Kush tjetër ka përfituar apo është paguar  me paratë e buxhetit të transferuara tek djegësat; konsulentët, avokatët, mediat, charterat?…

Politikanët e gazetarët (nëse ka mbetur ndonjë i paanshëm!), unë e madje edhe ju që po lexoni këto rreshta, të gjithë ne bëjmë analizën tonë e kemi natyrisht edhe një përgjigje tonën për secilën nga këto pyetje apo të tjera që lindin vetiu. Por, është  interesant fakti që sesi secili prej nesh, megjithëse lexojmë të njëjtat fakte, zgjedhim prej tyre informacione dhe detaje specifike. Ky “filtrim” bëhet në mënyrë të pandërgjegjshme apo edhe të qëllimshme në bazë të preferencave, prirjeve dhe shumë aspekteve të tjera që secili nga ne i konsideron të rëndësishme.

Teksa përpiqemi t’i japin kuptim informacionit që kemi “filtruar”, menjëherë supozojmë sipas , tendecës apo edhe interesit tonë. Pikërisht në këtë pikë fillon e mjergullohet dallimi midis asaj që është fakt dhe mënyrës se si ne e vlerësojmë faktin.

Në mënyrë të pandërgjegjshme  mbase injorojmë gjithçka tjetër që nuk përputhet me qasjen tonë.

Thënë këtë, sado të përpiqemi të identifikojmë ideatorin, hartuesin, urdhëruesin, ekzekutuesin, përfituesit e mëdhenj edhe të vegjël, mjeshtrin apo shërbëtorin e parëndësishëm, por të zellshëm në këtë historisë e djegësave,  secili prej nesh do të vendoste një emër të ndryshëm në secilin rol.

 Por  një gjë mund të thuhet me siguri .  Aty është “ekzekutuar ”  shteti .Tani e kuptoj , se kur Alda Klosi  thoshte “Por  Ministri Ahmetaj  ka kërkuar….”   gabim isha unë që  përgjigjesha- “unë punoj për shtetin shqiptar jo për ministrin” .  Ndërkohë që  shteti ishte duke dhënë shpirt.  Shteti u  shkërmoq  që 4 vitet e para të qeverisjes, nën këmbët e Zotot. Ndaj  edhe ato pak qëndrestarë të MF ndaj aferës së djegsave  u sfiduan edhe si për t’ju treguar që shteti ra ,  u thirrën për mbledhje në gusht 2017 nga ministri ahmetaj  që priste rikonfirmim pikërisht  tek zyra13/ 2  Skytower ,  e  cila i përkiste po Zotos. 

Kjo histori tregon qartë sesi e mira publike u la cullak dhe e pa mbrojtur në duar të Zoto-ve dhe ata bënë çfarë deshën e si deshën me të.