Vendosni fjalën kyçe....

Pusetës së kullave po i del era


Nga Ergys Mërtiri

Ndërkohë që Rama dhe Veliaj flasin për gjelbërim vertikal shkaterrohet gjelbërimi horizontal, në një kohë kur flitet për një milion pemë nëpër pyje orbitale imagjinare, shkatërrohen ato pak lulishte centrale që kanë mundur t’i shpëtojne fadromave gjatë këtyre viteve. Ndërtimi i një kulle të çmendur prej rreth 60 kate, në qendër të Tiranës është ekzagjerim i përbindshem i kasaphanes urbane të ketij qyteti që e ka bërë atë paturpsisht monstruoz.

Rama dhe Veliaj janë përgjegjës, ndër të tjëra, edhe për shkatërrimin e gjelbërimit të këtij qyteti. Shkatërrimi i lulishtes para ish-PD-së (ku sot gjendet Toptani Center), parkut të namazgjasë, lulishtes tek varri i Kapllan Pashës (ku ngrihet Hotel Plaza), parkun e lodrave tek rruga e Elbasanit, një pjesë të parkut kombëtar në kodrat e liqenit (në kullat që po ndërtohen tek Hotel Sheraton, si dhe nga ana përbri Fakuktetit të Ekonomisë).

Betoni është arma e krimit që po masakron Tiranën tashmë të pajetueshme. Duhet ta urresh vërtëtë shumë këtë qytet që t’i bësh këtë që i ka bërë, e po i bën, Edi Rama.

Por poshtërsia më e madhe këtë rradhë qëndron në faktin që opozita e revolucionit qesharak të Berishës hesht paturpësisht, sepse armën e krimit, kësaj rradhe po e shkreh një nga njerëzit e tij. Në mënyrën më të paskrupullt Berisha na thotë se ky debat bëhet për të larguar vëmëndjen nga inceneratorët, duke u përpjekur të ndalë reagimët e zërave opozitarë kundër projektit. Tinëzisht ai kërkon të mos merremi më betonieret e tij, me pretëksti se kështu tërheqim vëmendjen nga betonieret e Ramës.

Në fakt Rama dhe Saliu, prej kohësh tashmë, kafshojnë së bashku këtë vend e këtë qytet. Njerëzit e Saliut janë kudo nëpër kullat e përbindshme të Ramës. Oligarkët i kanë bashkë, kullat i kanë bashkë, betonieret bashkë, mediat bashkë dhë sigurisht, edhe fatin politik e ndajnë bashkë. Pasojat i vuajmë ne të tjerët.

Sidoqoftë kësaj pusete po fillon t’i dalë era dhe shumë shpejt ka për t’i dalë edhe tymi.