Vendosni fjalën kyçe....

Kundërshtojnë ekstradimin, protestë në Tiranë për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj


Këtë të diel është zhvilluar protestë në mbështetje të ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj, i cili u arrestua në Tiranë më 31 korrik, për llogari të Dhomave Speciale të Kosovës në Hagë.

Shoqata patriotike ‘Krahët e Shqiponjës”, kanë kërkuar lirimin e Goxhajt, duke u shprehur se arrestimi i tij është i padrejtë, duke kërkuar lirimin e tij dhe mos ekstradimin.

“Shkoni në serbi dhe kapni kriminelët serbë që kanë vrarë. Duam liri për Dritan Goxhaj”, është shprehur njëri prej protestuesve.

“Për të gjithë ata që kanë në dorë për Dritanin mos ta ekstradojnë, ky është një persekutim i hapur për të gjithë shqiptarët që luftuan kundër armiqve. Të ketë meritë për Dritan Goxhaj, duhet të mbrohen të drejtat e kombit shqiptar, ato që na i kanë dhunuar në emër të demokracisë. Drejtësia është e barabartë për të gjithë. Nuk ka bërë asnjë lloj krimi por vullnetarisht ka marrë pjesë në mbrojtje të të drejtave”, tha një prej protestuesve.

Mbi Goxhajn rëndojnë dy akuza ajo e “Frikësimit gjatë procedurës penale” dhe “Pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave”.

Avokati i Goxhajt, Bashkim Nikolla e ka cilësuar vendimin me prapavijë politike ndërsa shton se ai është i pafajshëm.