Vendosni fjalën kyçe....

Basha vijon turin me drejtuesit e PD: Kuvendi Kombëtar do të vendosë ndryshimet që do modernizojnë familjen tonë politike


Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar turin me drejtuesit e PD-së.

Basha bën me dije se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet më 2 Shtator për të diskutuar e vendosur aksionin politik dhe të gjitha ato ndryshime që do ta modernizojnë, hapin dhe forcojnë familjen politike, për ta kthyer në alternativën që presin shqiptarët.

Basha thotë se në takimet me strukturat drejtuese të Qarqeve të Kukësit dhe Lezhës u diskutua për rivitalizimin e Partisë Demokratike, për t’u bërë zëri i qytetarëve përballë padrejtësive ndaj qeverisë së korruptuar.

 

Postimi i plotë i Bashës:

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet më 2 Shtator për të diskutuar e vendosur aksionin politik dhe të gjitha ato ndryshime që do ta modernizojnë, hapin dhe forcojnë familjen tonë politike, për ta kthyer në alternativën që presin shqiptarët.

Me strukturat drejtuese të Qarqeve të Kukësit dhe Lezhës diskutuam për rivitalizimin e Partisë Demokratike, për t’u bërë zëri i qytetarëve përballë padrejtësive të kësaj qeverie të korruptuar.

Shembujt për këtë janë kudo, nga Afera mafioze e Inceneratorëve, tek fondet IPARD që përdoren për të nginjur qeveritarë të korruptuar dhe jo fermerët shqiptarë; nga abuzimi me PPP-të, tek ligji për investimet strategjike.

Ky i fundit është përdorur nga Edi Rama për të shpërblyer miqtë e tij dhe ata që i kanë sjellë vota dhe para, madje “investitor strategjik” janë bërë edhe persona të krimit të organizuar. Prandaj ne do të kërkojmë:

Hetim parlamentar të të gjithë atyre që kanë përfituar statusin investitor strategjik, për të parë se çfarë përfitimesh strategjike kanë sjellë për zhvillimin e vendit.

Përballja me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënie e fuqisë qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, si edhe vota e diasporës janë jetike për çlirimin e potencialit të madh që vendi ka ynë.